E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama dhe Demo takim me strukturat e Policisë, ministri:
Lajme

Rama dhe Demo takim me strukturat e Policisë, ministri:

“Dje u kalua vija e kuqe”/ Rama dhe Demo me strukturat e Policisë, ministri: Kjo nuk është më protestë

Foto nga takimi

Pas përplasjeve të dhunshme gjatë protestës së djeshme, kryeministri Edi Rama dhe ministri Demo zhvilluan një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit. Në fokus ishte situata e krijuar dhe dhuna ndaj forcave të rendit.

Sipas të dhënave të bëra publike nga ministri, 295 persona mbetën të lënduar, 186 prej tyre punonjës policie.

Demo deklaroi se ngjarjet kanë kaluar kufijtë e një proteste studentore dhe se dhuna ndaj efektivëve nuk mund të justifikohet me pakënaqësi politike apo kërkesa ndaj qeverisë.

“Dje është kaluar vija e kuqe. Nuk mund të quhet më protestë studentore, nuk mund të quhet më as protestë. 295 të lënduar, 186 prej tyre janë punonjës policie. Raporti tregon vetëpërmbajtjen e Policisë”, u shpreh ai.

Ministri akuzoi gjithashtu një parti politike, pa e identifikuar, se u ka ofruar mbështetje protestuesve pas përplasjeve.

“Protestuesit kanë gjetur azil politik në një parti të caktuar”, deklaroi Demo.

Ai theksoi se dhuna ndaj punonjësve të policisë nuk mund të bëhet objekt negocimi nga shteti.

“Policët po përballen me një valë dhune që nuk ka të bëjë me asnjë arsye legjitime për të pasur pakënaqësi dhe për të kërkuar më shumë nga qeveria. Me këtë nuk negociohet. Në momentin kur shteti negocion me të, ka rënë. Dhe kur fiton kjo logjikë, ajo bëhet vetë shteti”, tha ministri.

Sipas tij, Shqipëria e ka përjetuar më parë një situatë të ngjashme dhe pasojat e konflikteve të dhunshme kërkojnë vite për t’u shëruar.

Edhe kryeministri Rama i cilësoi protestuesit e rinj si të ideologjizuar dhe të ekstremizuar nga fryma e Antifa-s. Ai tha se kjo nuk do të thotë se janë terroristë, por se janë bërë, sipas tij, pengje të një ideologjie që synon të shkatërrojë dhe të përmbysë gjithçka.

“Janë të rinj e të reja të ideologjizuar, të ekstremizuar, nën trysninë apo frymëzimin e asaj force të errët dhe të re që është shfaqur në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, të cilën presidenti i Shteteve të Bashkuara e ka shpallur organizatë terroriste, Antifa-n”, u shpreh Rama.

Kryeministri bëri dallim mes statusit të protestuesve dhe veprimeve të tyre, duke theksuar se ata mund të jenë studentë apo nxënës, por, sipas tij, janë ndikuar nga një ideologji që nxit shkatërrimin.

“Janë studentë dhe studente? Po, patjetër. Janë nxënës dhe nxënëse? Po, patjetër. Por janë pengje të një fryme, të një ideologjie të re, e cila ka vetëm një mision: shkatërro, ktheje të gjithën përmbys, rrëno gjithçka”, tha Rama.

Ai e cilësoi situatën si një “fatkeqësi kombëtare”, duke theksuar se punonjësit e Policisë së Shtetit janë përballur jo vetëm me gurë, por edhe me sulme në rrjetet sociale.

“Kjo është absolutisht rrëqethëse. Është fatkeqësi kombëtare që forcat e Policisë, djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë që janë nën uniformë për të mbrojtur shtetin, janë jo vetëm nën sulmin e gurëve, por edhe nën sulmin e ekraneve”, deklaroi kryeministri.

Rama tha se protesta të dhunshme të ngjashme janë zhvilluar edhe në vende të tjera europiane, por, sipas tij, në këto raste partitë politike nuk kanë dalë publikisht në mbështetje të dhunuesve apo të sulmeve ndaj institucioneve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.