Terror në Vlorë, policia zbarkon brenda Universitetit “Ismail Qemali”
Protestat studentore janë shtrirë edhe në Vlorë, ku një grup të rinjsh ka hyrë në ambientet e Fakultetit të Shkencave Teknike dhe Natyrore të Universitetit “Ismail Qemali”, me qëllim mobilizimin e studentëve për t’iu bashkuar tubimit.
Të rinjtë u kanë bërë thirrje studentëve që të ndërpresin procesin mësimor dhe të dalin në protestë, duke kërkuar përfshirjen e më shumë studentëve në lëvizjen që po vijon prej shtatë ditësh.
Situata ka sjellë ndërhyrjen e Policisë brenda ambienteve të fakultetit. Efektivët kanë nxjerrë studentët nga godina, ndërsa më pas kanë marrë në mbikëqyrje territorin përreth universitetit.
Zhvillimet në Vlorë vijnë në ditën e shtatë të protestave studentore, të cilat vijojnë paralelisht edhe në Tiranë. Në kryeqytet, të rinjtë janë mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit, duke vijuar tubimet e nisura ditët e fundit.
Përfshirja e studentëve të Vlorës shënon një tjetër zhvillim në përhapjen e protestave, ndërsa mbetet për t’u parë nëse thirrjet për bojkot të mësimit do të përfshijnë edhe fakultete të tjera.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



