E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zjarri në Komisariatin nr. 3 në Tiranë, Skënder Hita: 10 efektivë të plagosur
Lajme

Zjarri në Komisariatin nr. 3 në Tiranë, Skënder Hita: 10 efektivë të plagosur

Sulmi ndaj Komisariatit të Policisë nr. 3 në Tiranë, ku u përfshi nga flakët kati i parë i godinës, ka shkaktuar plagosjen e 10 punonjësve të Policisë së Shtetit. Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e kësaj të diele, në ditën e gjashtë të protestave, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin e personave të përfshirë në sulm.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, reagoi pas incidentit, duke e cilësuar atë një akt të rëndë dhune që rrezikoi jo vetëm efektivët në shërbim, por edhe personat që ndodheshin të shoqëruar brenda ambienteve të komisariatit.

Sipas Hitës, grupet e personave të maskuar përdorën bomba molotov, lëndë piroteknike, gurë dhe sende të forta kundër godinës dhe punonjësve të policisë. Ai theksoi se efektivët e plagosur po kryenin detyrën për garantimin e sigurisë së institucionit dhe nuk kishin qenë të angazhuar në operacionet policore gjatë ditëve të mëparshme të protestave.

Kreu i Policisë së Shtetit nënvizoi se ushtrimi i së drejtës për protestë nuk mund të përdoret për të justifikuar akte dhune, sulme ndaj institucioneve apo dëmtim të pronës publike dhe private.

Hita: Sulmi ndaj komisariatit nuk është protestë

Në reagimin e tij, Skënder Hita bëri dallimin mes protestës paqësore, e cila është një e drejtë kushtetuese, dhe veprimeve të dhunshme që rrezikojnë jetën e njerëzve.

Ai bëri të ditur se edhe gjatë ditës së sotme janë regjistruar incidente të tjera ndaj punonjësve të policisë, ku janë përdorur gurë, sfera metalike, mjete piroteknike dhe bomba molotov, duke shkaktuar plagosjen e disa efektivëve.

Sipas tij, prej gjashtë ditësh punonjësit e Policisë së Shtetit po përballen me akte të përsëritura dhune, ndërkohë që vijojnë të jenë në shërbim për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

“Sulmi ndaj një komisariati policie nuk është protestë”, ishte mesazhi i përcjellë nga Hita, i cili theksoi se dhuna ndaj punonjësve të policisë dhe institucioneve nuk mund të tolerohet.

Nis puna për identifikimin e personave përgjegjës

Policia e Shtetit po punon për identifikimin e personave që dyshohet se kanë marrë pjesë në sulmet e regjistruara gjatë protestave. Sipas deklaratës së Hitës, po punohet për dokumentimin e veprimeve dhe referimin e provave pranë organeve kompetente të drejtësisë.

Kreu i policisë paralajmëroi se çdo person ndaj të cilit provohet përgjegjësia penale do të përballet me pasojat e parashikuara nga ligji.

Ai u bëri thirrje personave të përfshirë në akte të dhunshme që t’i ndërpresin ato, ndërsa qytetarëve që protestojnë në mënyrë paqësore u kërkoi të distancohen nga individët që përdorin dhunën.

Hita: Ndërhyrjet do të bëhen në përputhje me ligjin

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit deklaroi se strukturat policore janë udhëzuar të vijojnë detyrën me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri, duke respektuar procedurat standarde dhe parimin e proporcionalitetit.

Sipas tij, detyrimi për të ndaluar dhunën duhet të shoqërohet gjithmonë me respektimin e ligjit dhe të drejtave të qytetarëve.

Hita nënvizoi se policia ka përgjegjësinë të garantojë ushtrimin e së drejtës për protestë paqësore, por edhe të ndërhyjë ndaj veprimeve që cenojnë jetën, sigurinë dhe rendin publik.

Në fund të reagimit, ai shprehu mbështetjen për efektivët e plagosur dhe vlerësoi punonjësit që vijojnë shërbimin në kushtet e tensionit dhe rrezikut.

“Policia e Shtetit nuk është kundërshtare e qytetarëve. Ajo është në shërbim të tyre”, theksoi Hita, duke bërë thirrje që të shmanget krijimi i një klime armiqësie mes publikut dhe uniformave blu.

Ai garantoi se Policia e Shtetit do të vijojë të përmbushë detyrat e saj për mbrojtjen e jetës, sigurinë e qytetarëve dhe garantimin e rendit publik, duke vepruar brenda kufijve të ligjit.

Deklarata e plotë:

Të nderuar qytetarë,

Në orët e mbrëmjes, Komisariati i Policisë Nr. 3 në Tiranë u bë objekt i një sulmi të rëndë dhe të paprecedentë nga grupe personash të maskuar, të cilët përdorën bomba molotov, lëndë piroteknike, gurë dhe sende të forta kundër godinës dhe punonjësve të Policisë.

Si pasojë e këtij sulmi, mbetën të plagosur 10 punonjës të Policisë, të cilët ndodheshin në krye të detyrës, në shërbim të ruajtjes dhe sigurisë së Komisariatit. Dua të theksoj se këta punonjës nuk kishin qenë të angazhuar në veprimet policore gjatë ditëve të mëparshme të protestave.

Sulmi krijoi një rrezik serioz jo vetëm për jetën dhe shëndetin e punonjësve të Policisë, por edhe për personat e shoqëruar që ndodheshin brenda ambienteve të Komisariatit.

Dua të jem shumë i qartë për të gjithë se sulmi ndaj një komisariati policie nuk është protestë.

Goditja e punonjësve të Policisë me bomba molotov dhe mjete të tjera të rrezikshme është dhunë e rëndë, e cila dënohet nga ligji dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë.

Edhe gjatë ditës së sotme janë regjistruar sulme të tjera ndaj punonjësve të Policisë, me përdorimin e gurëve, lëndëve piroteknike, sferave metalike dhe bombave molotov, duke shkaktuar plagosjen e disa  punonjësve të tjerë.

Prej gjashtë ditësh, punonjësit e Policisë së Shtetit po përballen me akte të përsëritura dhune, ndërkohë që vijojnë të përmbushin detyrën e tyre për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Dhuna ndaj punonjësve të Policisë, sulmet ndaj institucioneve dhe rrezikimi i jetës së njerëzve nuk mund të tolerohen.

Policia e Shtetit po punon për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në këto sulme, dokumentimin e veprimeve të tyre dhe referimin e provave pranë organeve kompetente të drejtësisë.

Çdo person për të cilin provohet përgjegjësia penale do të përballet me pasojat që parashikon ligji.

Askush nuk mund ta përdorë të drejtën kushtetuese të protestës si mburojë për të ushtruar dhunë, për të sulmuar punonjësit e Policisë apo për të shkatërruar pronën publike dhe private.

E drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar dhe Policia e Shtetit ka detyrimin ta mbrojë atë. Por po aq i qartë është detyrimi ynë për të ndërhyrë, në përputhje me ligjin, ndaj çdo veprimi që cenon jetën, sigurinë dhe rendin publik.

Kam udhëzuar të gjitha strukturat policore të vijojnë përmbushjen e detyrës me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri, duke respektuar rigorozisht ligjin, procedurat standarde dhe parimin e proporcionalitetit.

Vendosmëria për të ndaluar dhunën duhet të shoqërohet në çdo rast me respektimin e ligjit dhe  të drejtave të qytetarëve.

U bëj thirrje të gjithë personave të përfshirë në veprime të dhunshme që t’i ndërpresin menjëherë ato. Çdo sulm i mëtejshëm ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve apo pronës së qytetarëve do të marrë përgjigjen e parashikuar nga ligji.

Njëkohësisht, u drejtohem të gjithë qytetarëve, veçanërisht atyre që ushtrojnë në mënyrë paqësore të drejtën e protestës, që të distancohen nga personat që përdorin dhunën dhe të mos lejojnë që veprimet e tyre të rrezikojnë sigurinë e të tjerëve.

Policia e Shtetit nuk është kundërshtare e qytetarëve. Ajo është në shërbim të tyre.

Nuk duhet dhe nuk mund të krijohet një klimë armiqësie ndërmjet qytetarëve dhe punonjësve të Policisë. Besimi dhe bashkëpunimi me publikun janë themeli i misionit tonë.

U shpreh mbështetjen time të plotë të gjithë punonjësve të Policisë që, pavarësisht vështirësive dhe rrezikut, po vijojnë të përmbushin detyrën me përkushtim.

U uroj shërim të shpejtë kolegëve të plagosur dhe shpreh mirënjohje për profesionalizmin dhe sakrificën e çdo punonjësi policie që është sot në shërbim të qytetarëve.

Në përfundim, dua të siguroj qytetarët se Policia e Shtetit është dhe do të mbetet në krye të detyrës.

Nuk do të tërhiqemi përballë dhunës dhe nuk do të lejojmë që sulmet ndaj institucioneve të cenojnë përmbushjen e misionit tonë.

Do të veprojmë me vendosmëri, profesionalizëm dhe përgjegjësi, gjithmonë brenda kufijve të ligjit.

Siguria e qytetarëve, mbrojtja e jetës dhe garantimi i rendit publik janë detyrimi ynë dhe përgjegjësia jonë e panegociueshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.