Vllaznia rikthehet shpejt tek humbja. Egnatia e ka mundur në Rrogozhinë në një ndeshje që mbase duhej të konfirmonte vijimësinë pas fitores së parë me Dinamon.
Në fakt, nuk ka ndodhur kështu. Në minutën e 5- të, Adjesa rrëzohet në zonë pasi Gurishta e godet në fytyrë duke u munduar të largojë topin. Kryesori Ferhataj bën shenjë nga pika e bardhë. Pas një pritje të gjatë, VAR-i e konfirmon dhe Albanese e kthen në gol.
Në minutën e 41- të, shkodrani i rrogozhinasve Smajli, del në mënyrë të shkëlqyer në të djathtën, shmang mbrojtësit dhe harkon për Adjesa i cili me kokë gjuan qetësisht për golin e dytë.
Në minutën e 59- të, në pjesën e dytë, një aksion i shpejtë i kuqebluve, Balaj jep asist perfekt për Perez i cili shtyn sferën në rrjetë. Goli që ndezi disi shpresat për Vllazninë për të dalë me pikë nga kjo ndeshje.
Në minutën e 86- të, një top në zonë nuk kontrollohet nga Musta dhe Gruda del para Jukajt, duke e mposhtur me një gjuajtje me të djathtën.
Kështu u mbyll e gjithë ndeshja, duke lënë Vllazninë me vetëm 5 pikë pas 7 javëve, me golavarazh negativ 7-13, në pjesën e poshtme të renditjes në Superiore.




