Dita e 7-të e protestës/ Protestues të maskuar sulmojnë Gjykatën e Apelit, disa të shoqëruar

Aktualitet | 2 orë më parë

Dita e shtatë e protestës së studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë është shoqëruar sërish me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Pas një nisjeje të qetë, me këngë dhe valle, situata u përshkallëzua pas hedhjes së gurëve në drejtim të efektivëve, duke bërë që policia të ndërhynte me ujë dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.

Protestuesit u zhvendosën nga Rruga e Durrësit në drejtim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa në zonë u përforcuan masat e sigurisë. Gjatë ndërhyrjes, efektivët u kanë bërë thirrje qytetarëve të largojnë gratë dhe fëmijët nga rruga, duke paralajmëruar përdorimin e mëtejshëm të ujit dhe gazit lotsjellës.

Ora 15:35/ Protestuesit zhvendosen te Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”

Protestuesit janë zhvendosur drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa deri më tani situata duket e qete. Forcat e policisë ndodhen në gatishmëri për t’ju përgjigjur çdo situate.

Ora 15:00/Tensionohet situata në Parkun Rinia, Policia shoqëron disa persona

Pas sulmit në Gjykatën e Apelit, protestuesit u zhvendosën te Parku Rinia, ku po ashtu u regjistruan tensione. Policia reagoi duke shoqëruar  disa prej të rinjve.

Ora 14: 15/ Pas sulmit ndaj Gjykatës, shpërndahen protestuesit 

Pas sulmit ndaj Gjykatës së Apelit, protestuesit janë shpërndarë pas ndërhyrjes së forcave të Policisë së Shtetit. Një pjesë e tyre është zhvendosur drejt Urës së Tabakëve, ndërsa të tjerë janë futur në rrugicat pranë godinës së gjykatës. Gazetarja Rugova Dunisha raporton se, pas largimit të protestuesve, në zonën ku ndodhi sulmi kanë mbërritur persona civilë, të cilët po kryejnë inspektime për të evidentuar dëmet e shkaktuara në institucion.

Sipas raportimit nga vendngjarja, sulmi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në ambientet e Gjykatës së Apelit, ku janë thyer xhama dhe janë dëmtuar zyra pritëse e qytetarëve dhe hapësira të tjera të godinës. Gjithashtu, është tentuar t’i vihet flaka institucionit, por zjarri nuk ka përfshirë godinën.

“Është thyer zyra pritëse e qytetarëve dhe janë dëmtuar disa sende brenda saj. Gjithashtu, janë thyer xhamat e tabelave ku afishohen njoftime të ndryshme për gjyqe dhe njoftime të tjera. Punonjësit kanë dalë menjëherë jashtë ambienteve të gjykatës, pasi numri i madh i protestuesve i ka bërë të ndihen të rrezikuar”, raportoi gazetarja Rugova Dunisha.

Sipas saj, lëvizja e protestuesve drejt kësaj zone i ka gjetur të papërgatitur efektivët e policisë, të cilët në pjesën më të madhe ishin të pozicionuar pranë institucioneve brenda Unazës së Vogël të Tiranës, përfshirë Parlamentin, bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ministritë, Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Arsimit.

“Lëvizja e studentëve dhe protestuesve në këtë zonë i ka gjetur të papërgatitur efektivët e policisë, të cilët kryesisht ishin pozicionuar pranë institucioneve brenda Unazës së Vogël, si Parlamenti i Shqipërisë, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ministritë përkatëse, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit, ku ishte përqendruar numri më i madh i forcave të policisë.

Ndërsa protestuesit marshuan në mënyrë të qetë, duke kaluar nga Ura e Elbasanit në drejtim të gjykatës, ata gjetën hapësirën për të vepruar, duke tentuar t’i vënë flakën institucionit dhe duke dëmtuar ambientet e tij. Situata vijoi deri në momentin kur policia u njoftua dhe mbërriti menjëherë në vendngjarje, duke bërë të mundur shoqërimin e disa prej protestuesve. Edhe pse disa prej tyre tentuan të largoheshin në momentin kur mbërritën forcat e policisë, të cilat përdorën edhe gaz lotsjellës, një pjesë e protestuesve u shoqëruan në polici.

Ndërkohë, në zonë mbërritën menjëherë edhe forcat “Shqiponja” dhe ato të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), të cilat kryen një inspektim të shpejtë të zonës dhe ndërhynë për largimin e protestuesve. Disa ekspertë ndodhen në vendngjarje dhe po fotografojnë pjesët e dëmtuara, me qëllim mbledhjen e provave të nevojshme për këtë rast. Pamjet tregojnë gjithashtu fasadën e dëmtuar, dyer të shkatërruara dhe gjurmët e tentativës për t’i vënë zjarrin institucionit. Përpjekja për të djegur godinën nuk u realizua, ndërsa dëmet materiale u shkaktuan brenda pak sekondash, kur protestuesit hodhën gurë dhe sende të tjera të forta“, deklaroi Rugova.

Ora 14:00/ Protestuesit sulmojnë Gjykatën e Apelit

Protestues të maskuar kanë sulmuar Gjykatën e Apelit, duke hedhur gurë në drejtim të godinës dhe duke shkaktuar thyerjen e xhamave. Disa prej tyre kanë depërtuar edhe në ambientet e brendshme të institucionit, ku kanë shkaktuar dëme materiale.

Përveç dëmtimeve, protestuesit kanë ushtruar dhunë ndaj Zyrës së Informacionit dhe fasadës së jashtme të institucionit, të cilave më pas u kanë vënë zjarrin. Falë reagimit të menjëhershëm, flakët janë vënë nën kontroll, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

Pas sulmit, ka reaguar menjëherë Policia e Shtetit, efektivët e së cilës kanë ndërhyrë në zonë dhe kanë bërë të mundur shoqërimin e disa personave.

Deri më tani, nuk ka të dhëna të mëtejshme mbi numrin e saktë të personave të shoqëruar apo mbi vlerën e dëmeve të shkaktuara në ambientet e gjykatës. Sakaq, stafi i Gjykatës së Apelit, vijon të qëndrojë jashtë ambienteve të institucionit.

Ora 13:30 – Policia shpërndan protestuesit, thirrje për largimin e grave dhe fëmijëve

Pas hedhjes së gurëve në drejtim të efektivëve, Policia e Shtetit ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë protestuesit e mbledhur para Ministrisë së Arsimit.

Gjatë ndërhyrjes, efektivët kanë vijuar përdorimin e ujit për të larguar turmën, ndërsa u kanë bërë thirrje qytetarëve që të largojnë gratë dhe fëmijët nga rruga, për shkak të përdorimit të mjeteve për shpërndarjen e protestuesve.

Pas ndërhyrjes së policisë, protestuesit janë zhvendosur nga Rruga e Durrësit në drejtim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa situata është tensionuar në zonën përreth institucionit.

Përballë Ministrisë së Arsimit është vendosur një kordon i përforcuar policor. Në terren janë dislokuar automjete ujëhedhëse dhe furgonë policie, ndërsa gjashtë furgonë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) janë në gatishmëri.

Ora 11:30 – Studentët dhe gjimnazistët nisin protestën me këngë e valle

Studentët dhe gjimnazistët u grumbulluan fillimisht në qendër të Tiranës dhe më pas marshuan drejt Ministrisë së Arsimit, ku vijuan protestën e ditës së shtatë.

Ndryshe nga ditët e mëparshme, tubimi nisi në mënyrë të qetë, me këngë dhe valle, ndërsa të rinjtë u vendosën përpara institucionit për të vijuar qëndrimin e tyre protestues.

Në nisje të tubimit, situata paraqitej e qetë dhe nuk kishte shenja të përplasjeve që do të pasonin më vonë. Megjithatë, hedhja e gurëve në drejtim të efektivëve solli përshkallëzimin e situatës dhe ndërhyrjen e forcave të rendit.

Prej gjashtë ditësh, studentë, gjimnazistë dhe qytetarë kanë protestuar në kryeqytet. Tubimet e mëparshme janë shoqëruar me episode dhune, ndërhyrje të Policisë së Shtetit, djegie të disa bizneseve private, sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe lëndime të personave nga të dyja palët.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme