Epoka e makinave pa shofer mbërrin në Europë, Zagrebi hap rrugën për robotaksitë

Kryeqyteti kroat, Zagrebi, po shndërrohet në një pikë të rëndësishme të zhvillimit të transportit autonom në Europë. Një automjet që lëviz pa ndërhyrjen e një shoferi njerëzor është në qendër të një reportazhi të Euronews, i cili sjell nga afër përvojën e udhëtimit me një robotaksi.
Teknologjia synon të ndryshojë mënyrën se si qytetarët lëvizin nëpër qytete, duke përdorur sisteme inteligjente për të kontrolluar drejtimin, shpejtësinë, frenimin dhe reagimin ndaj trafikut.
Robotaksitë kanë përshkuar 200 mijë kilometra në Zagreb
Shërbimi u lançua në prill 2026 nga Uber, në bashkëpunim me kompaninë kroate Verne dhe kompaninë kineze të inteligjencës artificiale Pony.ai.
Fillimisht, automjetet lëviznin me një operator sigurie në sediljen e shoferit, i cili mbikëqyrte udhëtimin. Që nga fillimi i shërbimit, ato kanë përshkuar rreth 200 mijë kilometra në rrugët e Zagrebit.
Më 10 shtator nisën edhe udhëtimet plotësisht pa shofer, për një numër të kufizuar përdoruesish të ftuar, në një itinerar prej 22 kilometrash që lidh selinë e Verne me aeroportin Franjo TuÄ‘man.
Aktualisht, flota përbëhet nga rreth 30 automjete autonome elektrike të modelit BAIC Arcfox Alpha T5.
Si është të udhëtosh në një makinë që drejtohet vetë?
Gazetari i Euronews përshkruan ndjesinë e pazakontë të qëndrimit në sediljen e pasme, ndërkohë që timoni rrotullohet vetë dhe automjeti manovron në trafik.
Sipas reportazhit, udhëtimi është i qetë dhe, pas pak minutash, pasagjeri pothuajse harron se drejtimin e ka marrë përsipër inteligjenca artificiale.
Makina ndalon plotësisht në çdo tabelë STOP, edhe kur rruga është bosh, dhe shmang drejtuesit agresivë që tentojnë ta parakalojnë.
Automjetet përdorin teknologji autonome të nivelit 4, që mundëson drejtimin pa ndërhyrje njerëzore, por vetëm në zona të përcaktuara.
34 sensorë për të zëvendësuar shoferin
Sistemi Gen-7 i Pony.ai përdor 34 sensorë, përfshirë nëntë sensorë LiDAR, 14 kamera, katër radarë, katër mikrofona, dy sensorë uji dhe një sensor përplasjesh.
Këto pajisje analizojnë mjedisin përreth dhe i mundësojnë automjetit të marrë vendime gjatë lëvizjes.
Përpara se sistemi të përdoret në rrugë, inteligjenca artificiale trajnohet në një mjedis virtual, ku mëson të reagojë ndaj situatave të ndryshme të trafikut.
Synimi: më shumë se 30 qytete europiane
Uber synon ta zgjerojë modelin në qytete të tjera europiane. Mançesteri është destinacioni i radhës, ku testimet kanë nisur, ndërsa planet përfshijnë Londrën dhe projekte në faza të ndryshme në Madrid, Mynih dhe Zyrih. Edhe Brukseli është ndër qytetet me të cilat po zhvillohen diskutime.
Një nga pengesat kryesore mbetet kuadri ligjor europian, pasi rregullat për automjetet autonome ndryshojnë ndërmjet vendeve.
Ndërkohë, Verne po zhvillon një automjet autonom me dy vende, të orientuar drejt udhëtimeve më komode, me sedilje që mund të shtrihen dhe ekran të madh informues. Kompania pretendon se eliminimi i shoferit do të ulë kostot dhe do të mundësojë shërbime më luksoze pa çmime domosdoshmërisht më të larta./EURONEWS
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









