ERE rikthen në diskutim çmimet e HEC-eve të vegjël pas vendimit të Gjykatës së Lartë

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) do të rikthejë në shqyrtim çmimet e blerjes së energjisë elektrike nga prodhuesit me përparësi për vitet 2020 dhe 2021, pas vendimit të Gjykatës së Lartë që shfuqizoi aktet e qeverisë dhe të rregullatorit për uljen e bonusit të aplikuar në përllogaritjen e tyre.
Sipas rendit të ditës të mbledhjes së Bordit të ERE-s, të parashikuar për 20 tetor, shqyrtimi do të përqendrohet te përcaktimi i çmimeve vjetore që u paguhen prodhuesve me përparësi, ku përfshihen hidrocentralet e vegjël, në zbatim të vendimit nr. 00-2026-3430 (233), datë 27 prill 2026, të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë.
Vendimi gjyqësor shfuqizoi VKM-në nr. 396, datë 13 maj 2020, përmes së cilës qeveria kishte ndryshuar metodologjinë e përcaktimit të çmimit të blerjes së energjisë, duke ulur koeficientin bonus për promovimin e burimeve të rinovueshme nga 1.30 në 1.20.
Gjykata shfuqizoi gjithashtu vendimin nr. 94, datë 8 qershor 2020, dhe vendimin nr. 16, datë 20 janar 2021, të ERE-s, me të cilat ishte zbatuar metodologjia e ndryshuar për çmimet e dy viteve përkatëse.
Në arsyetimin e saj, Gjykata e Lartë konstatoi se ndryshimi i metodologjisë ishte kryer pa konsultimin e detyrueshëm me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë dhe pa një analizë të mbështetur në kriteret ligjore për përcaktimin e bonusit.
Sipas gjykatës, ulja ishte motivuar kryesisht nga vështirësitë financiare të operatorit publik gjatë pandemisë COVID-19, ndërkohë që këto rrethana nuk përbënin kriter ligjor për ndryshimin e bonusit të prodhuesve të energjisë së rinovueshme.
Për vitin 2021, ERE kishte miratuar një çmim blerjeje prej 7.448 lekësh për kilovatorë, kundrejt 7.878 lekëve për kilovatorë në vitin 2020, sipas të dhënave të publikuara në raportin vjetor të rregullatorit.
Shqyrtimi i programuar për të martën rikthen në vendimmarrjen e ERE-s përcaktimin e çmimeve për këto dy vite, pas shfuqizimit të akteve të mëparshme. Çmimet që do të përcaktohen dhe mënyra e trajtimit të periudhave përkatëse mbeten objekt i vendimmarrjes së rregullatorit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









