Ekonomia e Kinës përshpejton ritmin, rritet me 4.5%

Rritja ekonomike e Kinës u përshpejtua në 4.5% në tremujorin e tretë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pasi kërkesa e fortë nga jashtë për produktet teknologjike kineze kompensoi në masë të madhe ndikimin negativ të krizës së thelluar në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe kërkesës së dobët konsumatore.
Rritja ekonomike në tremujorin e tretë tejkaloi pritshmëritë e ekonomistëve të anketuar nga Reuters, të cilët parashikonin një zgjerim prej 4.4%. Kjo normë ishte gjithashtu më e lartë se rritja prej 4.3% e regjistruar në tremujorin e dytë, niveli më i ulët në tre vitet e fundit.
“Rimëkëmbja në shtator kompensoi ecurinë e dobët ekonomike gjatë muajve korrik dhe gusht”, deklaroi Tianchen Xu, ekonomist i lartë në Economist Intelligence Unit. Ai ia atribuoi këtë përmirësim rritjes së investimeve qeveritare, të cilat ndihmuan në frenimin e përkeqësimit të vazhdueshëm të investimeve në asete fikse, sektorit të jashtëm që vijon të mbetet mjaft i fuqishëm, si dhe bazës së ulët të krahasimit. Suficiti tregtar mujor i Kinës arriti një nivel rekord prej 133.5 miliardë dollarësh.
Sipas Xu, ndikimi pozitiv i këtyre tre faktorëve pritet të vijojë edhe gjatë tremujorit të katërt. Ai parashikon që ekonomia kineze të regjistrojë një rritje prej 4.7% për të gjithë vitin.
Të dhënat tregojnë se ekonomia kineze vazhdon të mbështetet kryesisht te prodhimi industrial dhe blerësit e huaj, ndërkohë që familjet dhe investitorët privatë mbeten të rezervuar. Gjatë nëntë muajve të parë të vitit, rritja ekonomike mesatare arriti në 4.6%, duke qenë përgjithësisht në përputhje me objektivin zyrtar të Pekinit prej 4.5% deri në 5%.
Në shtator, shitjet me pakicë në Kinë u rritën me 1.1%, duke tejkaluar parashikimet e analistëve për një rritje prej 0.6%. Ndërkohë, prodhimi industrial u rrit me 5.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, në përputhje me pritshmëritë. Norma e papunësisë në zonat urbane u regjistrua në 5.2% gjatë muajit shtator.
Gjatë nëntë muajve të parë të vitit, investimet në asete fikse në zonat urbane ranë me 7.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa ekonomistët e anketuar nga Reuters kishin parashikuar një rënie prej 7.3%. Rënia e investimeve në sektorin e pasurive të paluajtshme u thellua më tej, duke arritur në 20.6% gjatë periudhës janar-shtator, krahasuar me tkurrjen prej 19.9% të regjistruar në tetë muajt e parë të vitit.
“Kriza e zgjatur në sektorin e banesave do të vazhdojë të kufizojë ndikimin pozitiv të aktivitetit më të fortë industrial në ekonominë e përgjithshme”, deklaroi Sheana Yue, ekonomiste e lartë në Oxford Economics. Sipas saj, familjet kineze kanë parë ndër vite një rënie të vlerës së pasurisë së tyre të investuar në prona.
Yue hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se në tregun e pasurive të paluajtshme kanë nisur të shfaqen shenja rimëkëmbjeje, duke theksuar se shitjet e banesave, nisja e ndërtimeve të reja dhe çmimet japin pak tregues se rënia e sektorit po i afrohet fundit.
Rritje ekonomike e pabarabartë
Pekini është mbështetur kryesisht te eksportet për të nxitur rritjen ekonomike gjatë këtij viti, por ky motor i ekonomisë po përballet me presione në rritje, për shkak të shtrenjtimit të energjisë dhe shqetësimeve gjithnjë e më të mëdha të partnerëve tregtarë lidhur me zgjerimin e prodhimit industrial dhe eksporteve kineze. Ndërkohë, sektorë të tjerë të ekonomisë mbeten të dobët, të ndikuar nga konsumi i ulët dhe kriza shumëvjeçare në tregun e pasurive të paluajtshme.
“Është e qartë se çekuilibrat e brendshëm mes ofertës dhe kërkesës po vazhdojnë të thellohen”, deklaroi Eswar Prasad, profesor i ekonomisë në Universitetin Cornell, në një koment të dërguar me email pas publikimit të të dhënave të hënën.
“Qeveria mund të bëhet më optimiste dhe të vijojë me një qasje pasive, në vend që të nxisë ekonominë përmes masave stimuluese të shoqëruara me reformat shumë të nevojshme”, shtoi ai.
Çmimet e prodhimit u rritën me ritmin më të shpejtë në më shumë se katër vjet, duke shënuar një rritje prej 5% në shtator, ndërsa inflacioni i konsumatorit mbetet nën 1%. Kjo pasqyron kapacitetet e tepërta prodhuese dhe kërkesën e dobët, të cilat kufizojnë aftësinë e bizneseve për të rritur çmimet e shitjes.
“Kjo mund t’i detyrojë kompanitë të përballojnë një pjesë më të madhe të rritjes së kostove përmes uljes së marzheve të fitimit, në vend që t’i transferojnë ato te konsumatorët përmes çmimeve më të larta”, deklaroi Yue.
Ekonomistët presin përgjithësisht që Banka Popullore e Kinës t’i mbajë të pandryshuara normat bazë të interesit të kredive deri në fund të këtij viti, duke ia lënë politikës fiskale pjesën më të madhe të përgjegjësisë për mbështetjen e ekonomisë.
Megjithëse ritmi i kënaqshëm i rritjes ekonomike mund të ulë presionin e menjëhershëm ndaj Pekinit për të shtuar masat stimuluese, Yue parashikon se zbatimi i masave të shpallura më parë do të përshpejtohet, duke mbështetur investimet dhe aktivitetin ekonomik gjatë tremujorëve të ardhshëm.
Autoritetet kineze kanë shtuar mbështetjen fiskale gjatë javëve të fundit, përfshirë një paketë uljesh të synuara të normave të interesit dhe subvencionesh për kreditë hipotekore në fund të shtatorit. Në fillim të këtij muaji, qeveria ndau gjithashtu 550 miliardë juanë nga kuota e papërdorur e borxhit, me qëllim lehtësimin e vështirësive financiare të pushtetit vendor dhe nxitjen e shpenzimeve për infrastrukturën./CNBC
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









