Turizmi, motori kryesor që po nxit shtimin e prodhimit tek uji i ambalazhuar

Flet Franc Ndreka, CEO i ujit Dukat
Për drejtuesin e Ujit “Dukat”, Franc Ndreka, rritja e kërkesës nga sektori i turizmit, veçanërisht nga strukturat akomoduese, vlerësohet si motori kryesor i shtimit të prodhimit.
Sipas tij, retail-i dhe strukturat turistike, përfshirë hotelet e resortet, janë kanalet që po rriten më shpejt, të nxitura drejtpërdrejt nga turizmi.
Z. Ndreka gjithashtu thotë se kërkesa për ujë të pijshëm të ambalazhuar luhatet sipas sezoneve, por haset “shpërthim” gjatë stinës së verës. Edhe për pjesën e mbetur të vitit, kompania pritet të rrisë kërkesën me 20%, e mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe eksportet.
Si ka qenë ecuria e prodhimit të ujit “Dukat” gjatë këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar? A ka pasur rritje të volumit të prodhuar dhe në çfarë niveli?
Rritja jonë ka vazhduar edhe këtë vit dhe kjo na bën krenarë, sepse ka ardhur në një mjedis aspak të lehtë.
Ndërkohë që kostot e prodhimit dhe të fuqisë punëtore kanë qenë vazhdimisht në rritje, uji “Dukat” arriti jo vetëm t’i përballojë, por të rrisë volumin e prodhuar.
Për ne, kjo është dëshmia më e mirë se një markë vendase, e ndërtuar me punë dhe me cilësi, ecën me hapin e vet edhe kur tregu është sfidues.
Si paraqitet kërkesa për ujë të ambalazhuar, a ka shënuar rritje apo rënie krahasuar me një vit më parë dhe cilët kanë qenë faktorët kryesorë që kanë ndikuar? Cilat janë kanalet kryesore të shitjes?
Kërkesa ka shënuar rritje të qëndrueshme, të ushqyer nga dy forca që ecin paralel: nga njëra anë, vala pozitive e turizmit që po transformon Shqipërinë, dhe nga ana tjetër, maturimi i markës “Dukat” në treg.
Retail-i dhe strukturat turistike, përfshirë hotelet e resortet janë kanalet që po rriten më shpejt, të nxitura drejtpërdrejt nga turizmi.
Tregu ynë ka një sezonalitet të fortë: konsumi i ujit “shpërthen” gjatë verës, në një dritare kohore relativisht të shkurtër, ku kërkesa shumëfishohet brenda pak javësh. Kjo na kërkon planifikim të përpiktë dhe një zinxhir furnizimi që të mos lërë asnjë partner pa ujë pikërisht atëherë kur ka më shumë nevojë.
A ka pasur ndryshim në kostot e prodhimit? Si kanë evoluar kostot e ambalazhimit, plastikës, energjisë, transportit dhe lëndëve të tjera të para krahasuar me një vit më parë?
Presioni mbi kostot ka qenë real. Rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare ka pasur efekt zinxhir mbi plastikën, ambalazhimin, transportin dhe praktikisht mbi çdo zë kostoje.
Ky është një realitet me të cilin përballet i gjithë sektori. Dallimi qëndron te mënyra si i përgjigjesh: ne kemi zgjedhur ta menaxhojmë këtë presion brenda kompanisë, përmes efikasitetit, dhe jo duke ia kaluar barrën konsumatorit.
A janë reflektuar rritjet e kostove në çmimin e shitjes? A parashikoni ndryshime të mëtejshme të çmimeve për konsumatorin në muajt në vazhdim?
Pavarësisht rritjes së kostove, ne nuk i kemi rritur çmimet e shitjes. E kemi bërë këtë me vetëdije të plotë, sepse duam të mbetemi konkurrentë, të fitojmë edhe më shumë besim e treg, dhe mbi të gjitha sepse në këto ditë të nxehta uji nuk është luks, është nevojë.
Të mbash çmimin të qëndrueshëm pikërisht atëherë kur konsumatori ka më shumë nevojë, për ne nuk është thjesht strategji tregtare, është përgjegjësi ndaj njeriut që na beson.
Si po ndikon sezoni turistik te shitjet? A ka pasur rritje të kërkesës nga hotelet, resortet, restorantet dhe strukturat e tjera akomoduese?
Sezoni turistik është një nga motorët tanë kryesorë, dhe këtë vit Shqipëria vazhdoi të thyejë rekorde vizitorësh. Por potenciali më interesant për ne nuk është thjesht numri i turistëve, është mënyra se si ata po qëndrojnë.
Strukturat e reja akomoduese po i kthejnë qytetet bregdetare nga destinacione të pushimit ditor në vende ku vizitori qëndron net të tëra. Çdo natë më shumë e kaluar në bregdet do të thotë konsum më i lartë dhe pikërisht këtu ne shohim hapësirën më të madhe të rritjes për vitet në vijim.
Sa është pesha e eksporteve në aktivitetin e kompanisë? Në cilat tregje eksportohet aktualisht uji “Dukat” dhe a keni plane për zgjerim në tregje të reja?
Për eksportet këtë vit kemi shënuar rritje prej rreth 30% në tregjet e Kosovës dhe Serbisë krahasuar me një vit më parë. Në periudhën 2026–2027 kemi planifikuar hyrjen në dy tregje të reja, në Malin e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut.
A ka ndryshuar sjellja e konsumatorit dhe sa e rëndësishme është sot konkurrenca përmes çmimit krahasuar me markën dhe cilësinë?
Konsumatori i sotëm është shumë më i informuar dhe më i vetëdijshëm për shëndetin e tij. Çdo vit e më shumë, ai lexon etiketën, interesohet për përmbajtjen minerale, për burimin, për cilësinë.
Çmimi mbetet sigurisht një faktor, por vendimi i blerjes po ndikohet gjithnjë e më shumë nga besimi te cilësia dhe te marka.
Ne nuk konkurrojmë thjesht me çmimin, ne ofrojmë ujë në të cilin njeriu mund të ketë besim.
Cilat janë pritshmëritë për pjesën e mbetur të vitit dhe për vitin e ardhshëm? Prisni rritje të prodhimit dhe kërkesës apo stabilizim të tregut?
Për ujin presim rritje rreth 20%, të mbështetur nga kërkesa e brendshme, turizmi dhe eksportet. Njëkohësisht, kompania ka zgjeruar portofolin me një gamë birrash premium të importuara nga Spanja dhe Gjermania, të cilat kanë forcuar pozitën tonë në treg dhe rrjetin tonë të distribucionit.
Kjo do të thotë se në vitin e ardhshëm hyjmë jo vetëm me një produkt bazë në rritje, por me një portofol më të plotë dhe kompani më të fortë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









