Monday / October 19 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Industri Lajmet Kryesore Nga Vendi

Prodhuesit investojnë në linja të reja, për të përballuar rritjen e kërkesës

Share Share Icon

Flet Florant Dautaj, administrator i ujit “Qafshtama”

 

Për të përballuar rritjen e vazhdueshme të kërkesës së ujit të pijshëm të ambalazhuar, kompanitë parashikojnë të shtojnë kapacitetet prodhuese me linja të reja prodhimi.

Administratori i “Qafshtama”, Florant Dautaj, thotë se investimi i ri që do të vihet në funksion në fillim të vitit 2027 pritet të dyfishojë kapacitetin prodhues dhe të mbështesë zgjerimin e kompanisë edhe në tregjet ndërkombëtare.

Z. Dautaj shprehet gjithashtu se sivjet, për shkak të rritjes të çmimit të naftës, prodhuesit e ujit po përballen me rritje të kostove të prodhimit dhe të shpërndarjes, por për pjesën e mbetur të vitit nuk parashikohen ndryshime në çmimet për konsumatorët.

 

Sipas të dhënave rezulton se në rang vendi, për vitin 2025 ka pasur rritje të lartë të prodhimit të ujit të pijshëm të ambalazhuar. Në opinionin tuaj, cilët janë faktorët që kanë ndikuar te rritja e prodhimit?

Rritja e prodhimit të ujit të ambalazhuar mund të lidhet me disa faktorë. Ndër më kryesorët do të veçoja zhvillimin e turizmit, rritjen e eksporteve, kryesisht drejt tregjeve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe rritjen e konsumit vjetor për frymë të ujit të ambalazhuar.

Rritja e konsumit të ujit për frymë është edhe një trend global. Tregu botëror vazhdon të shënojë rritje, i nxitur nga ndryshimet në stilin e jetesës, urbanizimi, si dhe nga ndërgjegjësimi më i madh i konsumatorëve për kujdesin ndaj shëndetit dhe zgjedhjen e produkteve të shëndetshme.

Në rastin e “Qafshtamës”, rritja jonë është mbështetur kryesisht nga konsumi më i lartë i produkteve tona në tregun vendas. Këtu do të veçoja dy faktorë kryesorë. Së pari, kemi vijuar zgjerimin e rrjetit të shpërndarjes dhe shtimin e numrit të klientëve të rinj, duke e bërë produktin më të aksesueshëm për konsumatorin.

Së dyti, po konstatojmë rritje të shitjeve të produkteve në pikat ekzistuese të shitjes, veçanërisht në retail. Kjo për ne është shumë e rëndësishme, pasi tregon se rritja nuk vjen vetëm nga zgjerimi fizik i rrjetit, por edhe nga ecuria më e mirë e produkteve tona në raft.

Pra, mund të themi se pozicionimi i kompanisë në treg është sot më i fortë se në vitet e mëparshme, si në aspektin e shpërndarjes, ashtu edhe në zgjedhjen e produktit nga konsumatori.

 

Nisur nga të dhënat e kompanisë suaj, si shfaqet kërkesa për ujin e ambalazhuar, si ka ndryshuar në raport me vjet? Cilët janë faktorët që kanë ndikuar te ndryshimi?

Kërkesa gjatë këtij viti ka qenë në rritje. Kemi regjistruar rritje prej rreth 17% krahasuar me një vit më parë.

Kërkesa për produktet tona, veçanërisht në sezonin veror, ka qenë e lartë dhe gjatë kësaj periudhe kemi operuar me kapacitet maksimal prodhimi.

Për t’iu përgjigjur kërkesës dhe për të krijuar kapacitetet e nevojshme për rritjen e mëtejshme, sapo kemi nënshkruar një marrëveshje me kompaninë e mirënjohur italiane SIPA, për instalimin e një linje të re prodhimi në fillimin e vitit 2027, tërësisht automatike, me teknologji moderne dhe të avancuar.

Ky investim do të dyfishojë kapacitetin tonë të prodhimit, duke na krijuar mundësi për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje dhe për të mbështetur zgjerimin e mëtejshëm në treg.

 

Cilat janë kategoritë kryesore të konsumatorëve; cilët blejnë më tepër, familjarët apo baret, restorantet, resortet etj.?

Sektori HORECA (Hotelet-Restorantet-Katering) baret, restorantet, hotelet dhe resortet përbën pjesën kryesore të shitjeve tona, ku marka prej vitesh ka një prani të fortë dhe të konsoliduar.

Paralelisht, kemi një pozicion të rëndësishëm edhe në retail dhe në konsumin familjar, ku gjatë viteve të fundit kemi vazhduar të forcojmë praninë dhe performancën e produkteve tona.

Të dy segmentet përbëjnë shtylla të rëndësishme të aktivitetit tonë tregtar dhe strategjia e kompanisë synon konsolidimin e mëtejshëm të pozicionit të operatorit, si dhe zhvillimin e qëndrueshëm në të dy këto kanale.

 

Si po ndikon te kërkesa sektori i turizmit? A po sjell efekt pozitiv ardhja e turistëve?

Rritja e turizmit ka pa dyshim ndikim pozitiv në sektorin tonë, veçanërisht në sezonin veror, kur edhe kërkesa për ujë të ambalazhuar arrin nivelet më të larta.

Rritja e numrit të turistëve sjell aktivitet më të lartë në hotele, resorte, restorante dhe bare dhe kjo reflektohet drejtpërdrejt edhe në kërkesën për produktet tona.

Duke pasur prani të konsoliduar në sektorin HORECA, zhvillimi i turizmit është një faktor i rëndësishëm që mbështet rritjen e shitjeve dhe zgjerimin e tregut, dhe kërkesa gjatë këtij sezoni rezulton dukshëm më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Me çfarë kostoje prodhohet uji i ambalazhuar krahasuar me vjet, a është rritur? Si kanë ndryshuar pas fillimit të konfliktit në Lindjen e Mesme çmimet e lëndëve të importit dhe çfarë efektesh kanë dhënë në kosto?

Në tremujorin e dytë të këtij viti, si pasojë e rritjes së çmimit të naftës dhe zhvillimeve të konfliktit në Iran, kemi pasur rritje të konsiderueshme të çmimeve të disa prej lëndëve të para, si dhe të kostove të shpërndarjes, të cilat janë reflektuar në rritjen e kostove të përgjithshme të kompanisë.

Megjithatë, strategjia jonë ka qenë që një pjesë sa më të madhe të kësaj rritjeje të kostove ta absorbojmë brenda kompanisë, përmes përmirësimit të sistemeve të prodhimit, optimizimit të proceseve dhe rritjes së eficiencës operacionale.

Investimet që po realizojmë në teknologji të reja janë gjithashtu pjesë e kësaj strategjie, me synimin për të rritur produktivitetin dhe eficiencën. Objektivi ynë është të ruajmë qëndrueshmërinë e çmimeve në treg, në mënyrë që këto rritje kostosh të mos transferohen drejtpërdrejt te konsumatori.

 

A parashikoni të ndryshoni çmimet e shitjes për konsumatorin?

Në kushtet aktuale nuk parashikojmë ndryshime të çmimeve të shitjes. Politika jonë është të ruajmë sa më shumë stabilitetin e çmimeve dhe një raport të mirë cilësi–çmim për konsumatorin.

Natyrisht, situata në tregjet ndërkombëtare mbetet e paparashikueshme dhe zhvillimet gjeopolitike mund të sjellin luhatje të mëtejshme të kostove. Megjithatë, për pjesën e mbetur të vitit 2026, bazuar në situatën aktuale, tregu dhe kostot paraqiten relativisht të stabilizuara.

 

Në cilat tregje jeni të pranishëm për eksportet dhe a synoni më tej zgjerim?

Aktualisht “Qafshtama” është e pranishme në Kosovë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa eksportet përbëjnë një drejtim të rëndësishëm në strategjinë tonë të zhvillimit.

Synimi ynë është të zgjerojmë gradualisht praninë në tregjet ndërkombëtare, duke u fokusuar fillimisht në vendet ku ka një prani të konsiderueshme të komunitetit shqiptar.

Investimi i ri dhe rritja e kapaciteteve prodhuese do të na krijojnë mundësi më të mëdha për të mbështetur zgjerimin dhe për të forcuar praninë e “Qafshtama” si një markë shqiptare edhe në tregjet ndërkombëtare.

 

Bizneset shqiptare gjenden përballë sfidës së përmbushjes së standardeve për t’u bërë pjesë e tregut europian, ndërkohë që vendi përgatitet për t’u anëtarësuar në BE. Cilat janë sfidat për sektorin e prodhimit të ujit në përballjen për përmbushjen e standardeve? Sa të përgatitura janë kompanitë dhe çfarë mbështetje kërkohet nga qeveria?.

Mendoj se kompanitë shqiptare të konsoliduara në sektorin e prodhimit të pijeve janë të përgatitura për t’iu përshtatur kërkesave dhe standardeve të reja që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Aktualisht, sfida kryesore lidhet me faktin se një pjesë e kuadrit të ri ligjor dhe mënyra konkrete e zbatimit të tij mbeten ende për t’u përcaktuar nga qeveria shqiptare.

Për industrinë është e rëndësishme që legjislacioni i ri të jetë në përputhje me legjislacionin dhe standardet e Bashkimit Europian, por njëkohësisht të hartohet në mënyrë të tillë që zbatimi i tij të jetë efektiv dhe eficient në praktikë.

Kompanitë e sektorit të prodhimit të pijeve në Shqipëri janë në komunikim dhe konsultim të vazhdueshëm me institucionet shqiptare, duke kontribuar me ekspertizë teknike, juridike dhe me përvojën e industrisë në diskutimin dhe hartimin e kuadrit të ri ligjor.

Ky është një proces që vazhdon dhe mendoj se bashkëpunimi ndërmjet qeverisë dhe industrisë është thelbësor, në mënyrë që përafrimi me legjislacionin europian të realizohet në mënyrë korrekte dhe efikase, duke krijuar njëkohësisht një kuadër të qëndrueshëm për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

BSH: Depozitat dhe kursimet e qytetarëve në sistemin bankar janë të sigurta

Banka e Shqipërisë në një njoftim për shtyp thekson se po ndjek me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet e ditëve të fundit në vend, veçanërisht incide...

2 hours më parë 4 Min Lexim
Koman

ERE rikthen në diskutim çmimet e HEC-eve të vegjël pas vendimit të Gjykatës së Lartë

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) do të rikthejë në shqyrtim çmimet e blerjes së energjisë elektrike nga prodhuesit me përparësi për vitet 2020 dh...

2 hours më parë 2 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!