A mund të ndalet gara e armatimeve në IA?

Amerika do ta ketë të vështirë ta bëjë teknologjinë të sigurt, ndërsa përpiqet të ruajë epërsinë ndaj Kinës, shkruan The Economist
Dy gjëra duhet t’ju bëjnë të mendoni seriozisht se çfarë mund të nënkuptojë Inteligjenca Artificiale (IA) për njerëzimin.
E para është se vetë ata që punojnë me këtë teknologji po paralajmërojnë se ajo mund të çojë në katastrofë, madje edhe në zhdukjen e njerëzimit.
E dyta është mënyra se si risitë teknologjike po e shtojnë shkatërrimin në Ukrainë. Këto dy zhvillime japin mësime të kundërta lidhur me pyetjen nëse përparimi i shpejtë i IA-së mund apo duhet të ngadalësohet.
Prej vitesh, drejtues të rëndësishëm të kompanive të IA-së kanë paralajmëruar se teknologjia e tyre mund të bëhet vdekjeprurëse. Sistemet e automatizuara mund të bëhen aq inteligjente sa t’i tejkalojnë krijuesit e tyre, përpara se të jenë “përshtatur” me qëllimet dhe normat etike të njerëzimit. Njerëz me qëllime të këqija mund ta përdorin IA-në për të shkaktuar dëme të mëdha.
Këto paralajmërime janë bërë më të besueshme, pasi agjentë të IA-së kanë dalë nga mjediset e tyre të izoluara të testimit, janë bashkërenduar me njëri-tjetrin dhe kanë hakeruar organizata, përfshirë edhe vetë një laborator të IA-së.
Anthropic, një kompani që zhvillon modele të IA-së, ka zbuluar raste kur modelet e saj janë përdorur për qëllime keqdashëse, nga shërbimet e Inteligjencës së Malit, të cilat kishin marrë ndihmë për ndërtimin e një sistemi mbikëqyrjeje masive, deri te rebelët Houthi në Jemen, të cilët dyshohet se po shkruanin programe për raketa balistike.
Pas dorëheqjes së fundit të një studiuesi nga Anthropic, frika e publikut për një katastrofë të shkaktuar nga IA-ja është përhapur më tej. Në një postim të parë më shumë se 170 milionë herë, ai tha se Anthropic dhe OpenAI po “luanin bixhoz me jetët tona”.
IA-ja po bëhet me shpejtësi më e fuqishme, si për mirë, ashtu edhe për keq. Në maj, tregjet e parashikimeve vlerësonin me më pak se një të tretën mundësinë që IA-ja të zgjidhte, para vitit 2030, ndonjë nga problemet e famshme matematikore të Mijëvjeçarit, secili me një çmim prej 1 milion dollarësh. Më 8 shtator, OpenAI njoftoi se kishte zgjidhur njërin prej tyre, duke shkaktuar shqetësim mes matematikanëve.
Më 12 shtator, Sam Altman dhe Elon Musk, dy figura kryesore të industrisë së IA-së, mbështetën thirrjen e Dario Amodei, kreut të Anthropic, “për të ngadalësuar kufirin e avancimit”, pra për të frenuar ritmin e përparimit të IA-së. Mes atyre që mbështesin një ngadalësim janë Bernie Sanders, senator i majtë, dhe Steve Bannon, populist i djathtë.
A po e humb SHBA epërsinë
Në krahun e kundërt është presidenti Donald Trump, administrata e të cilit druhet, mbi të gjitha, se Amerika mund të humbasë epërsinë e saj në IA ndaj Kinës, rivalit të vetëm serioz në këtë fushë. Scott Bessent, sekretari i Thesarit, ka thënë se nëse Kina do të fitonte avantazhin: “Asgjë tjetër nuk do të kishte më rëndësi.”
Si shembull, Bessent mund të përmendë Ukrainën, ku çdo hap në një garë teknologjike armatimesh prodhon pasoja të menjëhershme. Rusia ka përdorur pa mëshirë dronët e saj më të fundit kamikazë për të bombarduar infrastrukturën civile.
Përveçse janë më të shpejtë, dronët e saj tashmë përdorin njëri-tjetrin si një rrjet komunikimi, duke përcjellë informacion dhe komanda. Së shpejti, Rusia do të ketë versionin e vet të rrjetit satelitor Starlink të Musk, duke i bërë sulmet e saj me rreze të gjatë më të sakta.
Ky është demonstrimi më i fundit se sa shumë rëndësi mund të ketë edhe një epërsi e vogël teknologjike në kohë lufte. Vetë risitë e Ukrainës në përdorimin e dronëve në fushëbetejë e kanë ndihmuar atë të përballojë valë sulmesh ruse.
Ukraina është gjithashtu në gjendje të godasë thellë brenda territorit rus me dronë me rreze të gjatë veprimi. Të dyja palët po punojnë për dronë që do të mund të veprojnë në mënyrë më autonome, si një sistem i vetëm dhe përshtatës.
Lufta tregon se si teknologjia shndërrohet në fuqi të drejtpërdrejtë ushtarake dhe se Rusia e përdor atë pa marrë parasysh rregullat apo normat tradicionale të luftimit.
Edhe sikur Amerika të mos druhej nga një luftë e ngjashme e hapur me Kinën, një epërsi në IA do t’i jepte rivalit të saj kryesor gjeopolitik dominim në hakerim, spiunazh dhe luftë hibride. Këto nuk janë aftësi që Amerika duhet t’ia lëshojë një shteti autoritar që ka interes të shtypë idetë liberale.
Prandaj, një pauzë do të mund të funksiononte vetëm nëse do t’i bashkohej edhe Kina. Por edhe sikur Trump të kërkonte një ngadalësim, ka pak gjasa që Xi të pranonte planin e parashikuar nga Amodei, sepse kjo do ta ngrinte zhvillimin e IA-së kineze në vendin e dytë. Dhe asnjëra palë nuk mund të rrezikonte që pala tjetër të shkelte një marrëveshje duke vazhduar garën fshehurazi.
Për të arritur një marrëveshje, secila palë do të duhej të ishte në gjendje të verifikonte respektimin e saj, siç ndodhte me kontrollin e armëve gjatë Luftës së Ftohtë. Amerika, Britania dhe Bashkimi Sovjetik ndaluan testet bërthamore atmosferike në vitin 1963, sepse ato mund të zbuloheshin.
Testet nëntokësore vazhduan edhe për tri dekada të tjera, derisa u bë e mundur të monitoroheshin edhe ato.
Misteri
Për fat të keq, edhe pse qendrat e të dhënave janë të dukshme, nuk ekziston asnjë metodë e verifikueshme për të parë se çfarë ndodh brenda tyre. Infrastruktura që trajnon një superinteligjencë mund të paraqitet sikur po përdoret thjesht për robotë bashkëbisedues që u përgjigjen pyetjeve të zakonshme.
Prandaj, mundësitë për një marrëveshje mbi sigurinë e IA-së janë të kufizuara, por ato ekzistojnë. Më shumë transparencë do të ndihmonte. Të dyja palët duhet të angazhohen për të bërë publike dhe për të hetuar incidentet e sigurisë në laboratorët e tyre, duke përdorur legjislacionin kombëtar.
Secila palë mund të tregojë se e merr seriozisht sigurinë, duke ndërtuar besim dhe duke i hapur rrugën palës tjetër të marrë masa parandaluese.
Ato duhet gjithashtu t’i kërkojnë njëra-tjetrës të përmirësojnë sigurinë kibernetike të laboratorëve, në mënyrë që agjentët e IA-së të mos mund të dalin kaq lehtë nga mjediset e izoluara të testimit dhe që, nëse ndodh një incident i tillë, laboratori përkatës të mbajë përgjegjësi financiare.
Më e rëndësishmja është sfida për të siguruar që IA-ja të veprojë në interes të njerëzve. Amerika dhe Kina kanë vlera shumë të ndryshme, por të dyja e dinë se të qenët përpara nuk ka asnjë vlerë nëse teknologjia shkatërron njerëzimin.
Ato duhet të premtojnë se do të ndajnë mes tyre punën mbi ato elemente të përshtatjes së IA-së me objektivat njerëzorë që nuk japin avantazh konkurrues.
Njohuritë mbi metodat më të mira të vlerësimit dhe teknikat e kufizimit të rreziqeve janë një e mirë publike globale. Nëse njëra palë arrin një përparim të rëndësishëm në siguri, nuk ka kuptim ta mbajë atë vetëm për vete.
Alarmi që nuk duhet shpërfillur
Disa e hedhin poshtë valën e fundit të alarmit si një taktikë marketingu të kompanive të IA-së, apo edhe si një përpjekje për të kufizuar konkurrencën.
Megjithatë, përparimi i IA-së është mjaftueshëm i shpejtë, incidentet e sigurisë mjaftueshëm shqetësuese dhe paralajmërimet e kompanive kanë zgjatur prej kohësh sa për t’u marrë seriozisht.
IA-ja nuk ka nevojë të vrasë çdo njeri që të shkaktojë një katastrofë. Disa agjentë të OpenAI vunë në shënjestër një kompani teknologjike; po sikur herën tjetër të sulmojë një rrjet elektrik ose një sistem armësh?
Madje, ajo mund të bëhet aq inteligjente sa t’u shmanget përpjekjeve për ta çaktivizuar.
Bota duhet të përpiqet urgjentisht ta parandalojë këtë rrezik. Por demokracitë duhet, në të njëjtën kohë, të shmangin humbjen e kontrollit ndaj regjimeve autoritare.
Këto janë detyra të vështira dhe që bien ndesh me njëra-tjetrën. Në fund, ato mund të çojnë edhe në luftë. Vështirë se rreziku mund të ishte më i madh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









