Boksieri amerikan Sebastian Fundora mbrojti titullin kampion bote në peshën WBC World Super Welter (pesha deri 70kg), pas triumfit ndaj shqiptarit Ermal Hadibeaj, fitore me KO në sekondën e fundit të raundit të 12-të dhe të fundit, në një duel të zhvilluar në Las Vegas.
Një përballje mjaft e bukur, me 12 raunde të dueluara fort, me Hadribeaj që dha shpirtin në ring, duke synuar titullin kampion, por pa sukses. Shtatlartësia e rivalit amerikan bëri diferencën, pasi Hadribeaj u përpoq të bënte një duel “trup më trup” dhe deri diku ia doli mbanë.
Dhe kur dukej se sfida do të mbyllej me vendimin e gjyqtarëve, Hadribeaj u rrëzua në tapet. Edhe pse shqiptari u ngrit në këmbë, gjyqtari vendosi t’ia japë fitoren amerikanit me KO, kur kishte mbetur edhe 1 sekondë. Për Fundora, ky është triumfi 25-të në karrierë (ka edhe 1 humbje e 1 barazim).
Hadribeaj, pas një raundi të parë ku studioi rivalin, ndryshoi strategji, duke ngushtuar distancat, për shkak se ishte më i shkurtër. Në raundet e para kjo strategji i dha rezultat, por më pas Fundora mori masat. Kjo detyroi gjyqtarin e ringut ta penalizojë 2 herë me pikë shqiptarin.
Në fund, Fundora vendos të tregojë aftësitë e tij, duke goditur Hadribeaj me disa grushte të fortë, që e rrëzojnë në tapet, të lodhur. Hadribeaj, që pësoi humbjen e parë në karrierë (ka edhe 23 fitore e 1 barazim), detyrohet të pranojë humbjen edhe pse luftoi fort deri në fund.








