Përshkallëzohet situata në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit pranë Kryeministrisë.
Pas ripozicionimit të turmës përpara godinës së ekzekutivit, forcat e rendit kanë nisur një operacion të ri, duke u futur mes protestuesve dhe duke kryer shoqërimet e para. Qytetarë dhe të rinj janë kapur nga efektivët dhe janë tërhequr nga turma, ndërsa janë regjistruar edhe përplasje fizike gjatë përpjekjeve të protestuesve për të penguar shoqërimin e bashkëqytetarëve të tyre.
Bulevardi është mbuluar nga shtëllunga të dendura gazi lotsjellës, ndërsa mjetet e policisë kanë përdorur sasi të mëdha uji me presion kundër turmës.
Gjatë ndërhyrjes, vëmendje ka tërhequr edhe prania e efektivëve të policisë në tarracën e Kryeministrisë. Ata janë filmuar dhe fotografuar teksa hidhnin bombola gazi lotsjellës nga lartësia, në drejtim të protestuesve që ndodheshin në shesh.
Pavarësisht përdorimit të gazit lotsjellës, ujit me presion dhe ndërhyrjes së forcave të rendit, protestuesit nuk janë larguar nga zona përpara Kryeministrisë. Situata në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” vijon të jetë e tensionuar, me përplasje dhe kaos në terren. a.b





