Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka akuzuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, se po përdor efektivët e policisë për të mbrojtur pushtetin, ndërsa paralajmëron publikimin e vilave që, sipas tij, i përkasin kreut të Policisë së Shtetit.
Në një deklaratë publike, Këlliçi iu drejtua punonjësve të policisë, duke ngritur shqetësimin për pagat e ulëta, mospagesën e orëve shtesë dhe, sipas tij, abuzimet me dietat e uniformat.
Ai u bëri thirrje efektivëve të reflektojnë përpara se të përdorin forcën ndaj të rinjve që protestojnë, duke pretenduar se urdhrat që marrin nuk kanë si qëllim mbrojtjen e rendit dhe sigurisë, por interesat personale të drejtuesve të tyre.
“Kur të ngrini dorën kundër rinisë sot, mendoni që Skënder Hitaj nuk ju urdhëron për të mbrojtur rendin dhe sigurinë, por për të mbrojtur vilat e veta”, deklaroi Këlliçi, duke iu referuar fotografive të vilave që publikoi.
Nënkryetari i PD-së akuzoi gjithashtu policinë për dhunë ndaj të rinjve dhe arrestime të paligjshme të të miturve, ndërsa paralajmëroi se çështja e vilave të Skënder Hitës, sipas tij, mund të sjellë pasoja për kreun e Policisë së Shtetit.
Në përfundim të deklaratës, Këlliçi theksoi mbështetjen e Partisë Demokratike për të rinjtë dhe studentët që protestojnë.a.b
DEKLARATA E KËLLIÇIT/ Sot është koha që shqiptarët të njihen edhe me vilat e Skënder Hitës
Dua ti drejtohem punonjësve të Policisë së Shtetit, atyre që paguhen më pak se çdo koleg në rajon dhe europë, atyre që nuk u paguhen orët shtesë, atyre që u vidhen ditetat, uniformat, por dhe e ardhmja e fëmijëve, njësoj si ata të rinj që kanë mbushur bulevardin.
Kur të ngrini dorën kundër rinisë sot, mendoni që Skënder Hitaj nuk ju urdhëron për të mbrojtur rendin dhe sigurinë, por për të mbrojtur vilat e veta.
PO PO PO! Pikërisht këto vilat që shihni këtu në foto.
Kur ju rropateni me turne 12 orëshe, ai shton katet e vilave.
Sa për ty Skënder Hita, sot kemi vetëm një mesazh.
SPAK ndoshta nuk do të të arrestojë për dhunën kafshërore që po ushtron ndaj rinisë, për arrestimet e jashtëligjshme që po u bën minorenëve, për kriminelet me maska që ke nxjerrë rrugëve të ushtrojnë terror!
Por, të garantoj se janë këto vila që do të të bashkojnë me shokët në Durrës, shumë shpejt! Karrigja dhe kolltuku i pushtetit nuk janë të përjetshëm. Fytyra dhe cipa po.
Por këtë ju s’keni si ta kuptoni!
Ne jemi në krahë të rinisë dhe studentëve dhe koha juaj ka mbaruar!





