Monday / October 19 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Institucione Ndërkombëtare Lajmet Kryesore Nga Vendi

FMN: Shqipëria s’ka shfrytëzuar potencialin e rritjes, ekonomia mund të ishte afruar më shumë me BE

Share Share Icon

Megjithëse Shqipëria ka shënuar një rritje mesatare ekonomike prej rreth 4,4% në vit gjatë periudhës 2000–2024, ekonomia shqiptare nuk e ka shfrytëzuar plotësisht potencialin për të ngushtuar hendekun e zhvillimit me Bashkimin Europian.

Në raportin e tetorit 2026, “Perspektiva Ekonomike Rajonale: Europa – Zgjedhja e rritjes ekonomike: Reforma për inovacion, zgjerim dhe qëndrueshmëri”, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) evidenton se vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, kanë mundësi të konsiderueshme për të përshpejtuar konvergjencën ekonomike, veçanërisht përmes reformave që rrisin produktivitetin dhe përfitimeve nga integrimi europian.

Në grafikun e titulluar “Përfitimet e parealizuara nga konvergjenca: Moldavia dhe Ballkani Perëndimor”, FMN krahason rritjen mesatare vjetore të ekonomive europiane gjatë viteve 2000–2024 me nivelin e tyre fillestar të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për frymë.

Analiza mbështetet në parimin e konvergjencës ekonomike, sipas të cilit vendet me të ardhura më të ulëta kanë mundësi të rriten më shpejt sesa ekonomitë e zhvilluara, duke përfituar nga teknologjia, kapitali dhe praktikat e prodhimit që tashmë ekzistojnë në vendet më të pasura.

Shqipëria renditet ndër ekonomitë europiane me nivelin më të ulët fillestar të PBB-së për frymë në vitin 2000. Megjithatë, gjatë 24 viteve pasuese, ritmi i rritjes ekonomike nuk ka qenë mjaftueshëm i lartë për të realizuar plotësisht potencialin e afrimit me vendet më të zhvilluara.

Sipas grafikut, Shqipëria pozicionohet poshtë vijës që përfaqëson marrëdhënien mes nivelit fillestar të të ardhurave dhe rritjes mesatare ekonomike. Kjo sugjeron se, duke marrë parasysh nivelin e ulët nga i cili u nis, ekonomia shqiptare mund të kishte regjistruar një rritje më të shpejtë.

Krahasimi me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore është veçanërisht domethënës. Lituania, e cila kishte një PBB për frymë më të lartë se Shqipëria në vitin 2000, arriti një rritje mesatare vjetore prej rreth 4,6%, duke tejkaluar ritmin prej 4,4% të Shqipërisë.

Edhe Rumania dhe Bullgaria, që u anëtarësuan në Bashkimin Europian në vitin 2007, regjistruan ritme të larta rritjeje, përkatësisht rreth 4,2% dhe 4,1% në vit, pavarësisht se kishin një nivel fillestar të zhvillimit më të lartë se Shqipëria.

Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria ka pasur një nga ritmet më të larta të rritjes gjatë periudhës së analizuar. Serbia regjistroi mesatarisht rreth 3,7% në vit, Kosova 3,5%, Bosnjë-Hercegovina 3,4%, Maqedonia e Veriut 2,9% dhe Mali i Zi 2,8%.

Megjithatë, performanca relativisht më e mirë e Shqipërisë kundrejt vendeve të rajonit nuk ka mjaftuar për të kompensuar diferencën e madhe të zhvillimit me ekonomitë e BE-së. Kjo është një nga gjetjet që ilustron grafiku i FMN-së, ku vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia pozicionohen përgjithësisht poshtë marrëdhënies së pritshme mes nivelit fillestar të të ardhurave dhe rritjes ekonomike.

Në raportin Perspektiva Ekonomike Rajonale: Europa, FMN thekson se modeli i rritjes së Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore ka përfituar ndjeshëm nga integrimi europian, rritja e produktivitetit dhe akumulimi i kapitalit. Por qëndrueshmëria e këtij modeli po vihet në provë nga dobësimi i eksporteve industriale, rritja e pagave më shpejt se produktiviteti, vlerësimi i kursit real efektiv të këmbimit, ulja e investimeve të huaja direkte dhe konkurrenca më e fortë ndërkombëtare.

Sipas FMN-së, këto zhvillime po shfaqen jo vetëm në Europën Qendrore dhe vendet baltike, por edhe në Ballkanin Perëndimor. Për të ringjallur procesin e konvergjencës, ekonomitë e rajonit duhet të mbështeten më pak te avantazhi i kostove të ulëta dhe faktorët e jashtëm, duke u orientuar drejt inovacionit dhe rritjes së produktivitetit.

Ruajtja e konkurrueshmërisë kërkon institucione më të besueshme, një forcë pune më të kualifikuar, investime më të mëdha private dhe zhvendosje drejt aktiviteteve me vlerë të shtuar më të lartë. FMN paralajmëron gjithashtu se politikat fiskale ekspansioniste, të ndjekura për një kohë të gjatë në disa vende, duhet të përshtaten për të garantuar qëndrueshmërinë e financave publike.

FMN rishikon në rritje parashikimin për ekonominë shqiptare, ul atë për inflacionin

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Ankimohet në KPP tenderi 4.5 mln euro i FSHZH për projektet bashkiake infrastrukturore

Tenderi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), me fond limit 416.7 milionë lekë, ose rreth 4.5 milionë euro, për furnizimin me materiale ujësjell...

2 hours më parë 2 Min Lexim

Eksportet rriten 14.8% në shtator nga çmimet e naftës, por fasoni në prag falimenti, bie 16.2%

Eksportet i janë rikthyer rritjes së fortë në muajin shtator, të ndikuara kryesisht nga konjuktura e favorshme e çmimeve në bursat ndwrkombwtare, n...

2 hours më parë 7 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!