Monday / October 19 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Industri Lajmet Kryesore Nga Vendi

Shqipëria përballë shansit të ri industrial

Share Share Icon

Mineralet dhe metalet vijojnë të sigurojnë rreth një të pestën e eksporteve shqiptare, por sfida e ekonomisë sonë është të rrisë vlerën e pasurive të saj, në një moment që Europa po kërkon të sigurojë lëndët e para kritike dhe të afrojë zinxhirët e prodhimit tani në kulmin e revolucionit digjital. Ekspertët sugjerojnë të niset nga disa baza të thjeshta për rritjen e vlerës së shtuar të burimeve, në vend të investimeve të mëdha. Të dhënat e industrisë, investimet e kompanive minerare dhe interesi i ri për zonat industriale tregojnë se baza ekziston. Ekspertët sugjerojnë se duhet të ngushtohet hendeku i nxjerrjes së lëndës së parë dhe krijimit të një ekosistemi më të plotë prodhues.

 

Blerina Hoxha

Për dekada, pasuritë minerale të Shqipërisë janë parë kryesisht përmes sasisë së nxjerrë nga nëntoka dhe vlerës që sjellin në eksporte. Por ndryshimet në industrinë europiane dhe revolucioni digjital po sjellin perspektiva të reja për industrinë shqiptare dhe një mundësi të mirë për të diversifikuar ekonominë e vendit.

Bakri, nikeli, kromi dhe minerale të tjera në nëntokën tonë janë bazat e prodhimit të automjeteve elektrike, rrjeteve energjetike, qendrave të të dhënave, teknologjive digjitale dhe industrisë së mbrojtjes.

Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian po kërkon të diversifikojë furnizimet dhe të zvogëlojë varësinë nga zinxhirët e gjatë dhe të cenueshëm të prodhimit.

Për Shqipërinë, këto zhvillime hapin një mundësi të re. Vendi ka traditë minerare, burime të konsiderueshme, afërsi me tregun europian dhe një bazë industriale që, edhe pse e vogël, nuk nis nga zero.

Megjithatë, struktura e ekonomisë vazhdon të mbështetet fort tek eksporti i lëndëve të para dhe tek aktivitetet me shkallë relativisht të ulët përpunimi.

Megjithatë, një pesta e eksporteve varet ende nga mineralet dhe metalet. Në vitin 2015, eksportet e mineraleve dhe produktet prej tyre arritën në 49 miliardë lekë dhe përbënin 20% të të gjitha eksporteve shqiptare.

Pesha e tyre ka pësuar luhatje në varësi të ecurisë së çmimeve ndërkombëtare.

Në vitin 2022, kur koniunktura e tregjeve ishte veçanërisht e favorshme për lëndët e para, eksportet arritën në rreth 123 miliardë lekë, ose 25% të totalit dhe në dy vitet në vijim kanë pësuar rënie të lehtë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në 8-mujorin 2026, eksportet e këtij grupi arritën në 53,3 miliardë lekë, ose 21.6% të eksporteve totale.

Ekspertët sugjerojnë se qeveria duhet të përqendrohet në rritjen e vlerës së eksportit të mineraleve duke shtuar proceset e përpunimit.

Edhe kompanitë e sektorit po e shohin gjithnjë e më shumë zhvillimin në këtë mënyrë. Mehmet Uluyurt, CEO i BERALB, një nga kompanitë kryesore të industrisë së bakrit në Shqipëri, thotë se koncentrati i bakrit vijon të jetë produkti kryesor i kompanisë, por paralelisht po shqyrtohen produkte alternative dhe nënprodukte që mund të rrisin fleksibilitetin dhe vlerën e shtuar.

Sipas tij, performanca nuk varet vetëm nga çmimi ndërkombëtar i metalit, por edhe nga eficienca e prodhimit, rikuperimi i mineralit dhe kontrolli i kostove. E njëjta sfidë qëndron edhe për pjesën tjetër të industrisë shqiptare, që të prodhohet më shumë vlerë nga burimet dhe kapacitetet që tashmë ekzistojnë.

 

Mineralet kritike, një shans për industrinë shqiptare

Bashkimi Europian po kërkon të sigurojë burime më të qëndrueshme të mineraleve thelbësore për tranzicionin energjetik, industrinë digjitale, mbrojtjen dhe hapësirën. Akti Europian për Lëndët e Para Kritike përcakton 34 materiale kritike, prej të cilave 17 konsiderohen strategjike.

Në këtë grup përfshihen bakri, nikeli i përshtatshëm për bateri, kobalti, litiumi, grafiti, mangani, alumini, metalet e rralla, silici metalik dhe tungsteni.

BE synon që deri në vitin 2030 të nxjerrë brenda territorit të saj të paktën 10% të konsumit vjetor të lëndëve strategjike, të përpunojë 40% dhe të sigurojë 25% nga riciklimi. Njëkohësisht, jo më shumë se 65% e konsumit vjetor të një materiali strategjik duhet të vijë nga një vend i vetëm jashtë BE-së.

Shqipëria ka një traditë të gjatë në nxjerrjen e mineraleve metalike dhe aktiviteti aktual përqendrohet kryesisht te kromi, bakri, hekur-nikeli dhe nikeli-silikat. Sipas AKBN-së, vendi ka kapacitete për pasurimin e mineralit të kromit dhe të bakrit, si dhe për prodhimin e ferrokromit, por niveli i përgjithshëm i përpunimit të mineraleve në vend mbetet i ulët.

Nga mineralet që Shqipëria shfrytëzon tradicionalisht, bakri lidhet drejtpërdrejt me listën strategjike të BE-së, ndërsa nikeli është strategjik kur arrin cilësinë e kërkuar për përdorim në bateri. Mineralet shqiptare të hekur-nikelit dhe nikel-silikatit përmbajnë gjithashtu sasi kobalti, një tjetër lëndë e parë strategjike për BE-në, por kjo nuk nënkupton se Shqipëria ka aktualisht prodhim industrial të kobaltit apo nikelit të kategorisë “battery grade”.

Kromi mbetet minerali metalik më i rëndësishëm i Shqipërisë: në vitin 2024 u prodhuan rreth 953 mijë tonë mineral kromi, kryesisht për eksport. Shqipëria ka gjithashtu kapacitete të përpunimit në ferrokrom. Megjithatë, kromi nuk bën pjesë në listën aktuale prej 34 lëndësh të para kritike të BE-së.

Për Shqipërinë, lidhja më e drejtpërdrejtë me strategjinë europiane të mineraleve kritike është te bakri dhe potenciali i nikelit, ndërsa prania e kobaltit në mineralet hekur-nikel krijon një fushë që kërkon vlerësime të mëtejshme gjeologjike dhe teknologjike.

Vetë AKBN vlerëson se nevojiten studime të reja gjeologjike, minerare dhe teknologjike për rritjen e rezervave të njohura, shfrytëzimin e mineraleve me përmbajtje më të ulët dhe rritjen e përpunimit në vend.

 

 

Industria me ndërmarrje të vogla, zinxhiri mbetet i cekët

Debati për riindustrializimin shpesh krijon përshtypjen sikur Shqipëria duhet ta nisë gjithçka nga fillimi.

Të dhënat tregojnë se vendi ka tashmë një bazë prodhuese, thotë Antonin Braho, ekspert i çështjeve makroekonomike dhe analist të dhënash. Në vitin 2024, kishte 7,187 ndërmarrje aktive në industrinë përpunuese, me 95,276 të punësuar.

Shitjet neto arrinin rreth 379 miliardë lekë, ndërsa vlera e shtuar bruto, rreth 163.8 miliardë lekë. Mesatarisht, industria krijonte rreth 3.98 milionë lekë shitje dhe rreth 1.72 milionë lekë vlerë të shtuar për punonjës në vit.

Z. Braho gjen se ndërmarrja mesatare prodhuese ka vetëm rreth 13 punonjës. Kjo e bën ekosistemin të fragmentuar dhe kufizon aftësinë e shumë kompanive për të pasur brenda strukturës së tyre laboratorë, inxhinieri, kërkim, testim, prodhim veglash, apo sisteme më të avancuara të kontrollit të cilësisë.

Një fabrikë shqiptare që eksporton pjesën më të madhe të prodhimit, por nga ana tjetër materialet, pajisjet, programet dhe shërbimet inxhinierike i merr nga jashtë, bën që një pjesë e madhe e vlerës së krijuar në zinxhir mbetet jashtë ekonomisë shqiptare. Prandaj sipas tij, investimi i huaj dhe thellimi industrial nuk janë domosdoshmërisht e njëjta gjë.

Shqipëria ka tashmë elemente të një zinxhiri që lidh industrinë nxjerrëse me manifakturën. Në vitin 2024, u raportuan rreth 466 mijë tonë xeherorë dhe koncentrate bakri, me vlerë shitjeje rreth 6.4 miliardë lekë. Në të njëjtën kohë, vendi ka zhvilluar edhe prodhimin e sistemeve elektrike për industrinë automotive. Shitjet e sistemeve të fijeve elektrike të posaçme për automjete arritën rreth 8.7 miliardë lekë në vitin 2024.

Z. Braho thotë se Shqipëria është e pranishme në disa pjesë të këtij zinxhiri, ndërsa hallkat që i lidhin ato vazhdojnë në masë të madhe të mungojnë. Analiza e Antonin Brahos vëren se prodhimi i sistemeve elektrike automotive dëshmon se në Shqipëri ekziston një kapacitet industrial i cili ka edhe kontrata me industrinë ndërkombëtare të automjeteve.

Por të dhënat nuk tregojnë se sa nga bakri, konektorët, pjesët plastike, veglat, pajisjet dhe inxhinieria prodhohen ose ofrohen në vend, pasi aty qëndron edhe një pjesë e potencialit për zgjerimin e vlerës së shtuar.

 

Kompanitë minerare po kërkojnë të rrisin vlerën

Për BERALB, kjo logjikë po shfaqet në mënyrën si kompania po përpiqet të përballojë kostot dhe luhatjet e tregut. Në një mjedis ku janë rritur kostot e energjisë, materialeve, logjistikës, mirëmbajtjes dhe shërbimeve, kompania synon rritjen e rendimentit nga çdo ton mineral.

Kjo ka përfshirë mirëmbajtjen, disponueshmërinë e pajisjeve, përmirësimet teknike dhe investimet në laboratorin metalurgjik, të cilat sipas kompanisë kanë ndihmuar në rritjen e rikuperimit dhe ruajtjen e një cilësie më të qëndrueshme të koncentratit.

Për një kompani minerare, çmimi i bakrit përcaktohet në tregjet ndërkombëtare. Ajo që mund të kontrollohet është rendimenti, humbjet, rikuperimi i metalit, energjia dhe cilësia.

E njëjta logjikë vlen për fabrikën. Nëse ajo ul defektet, siguron më shumë furnitorë vendas, krijon kapacitete mirëmbajtjeje dhe inxhinierie në vend dhe rrit produktivitetin, nuk konkurron më vetëm me koston e punës.

Një model i përllogaritur për një fabrikë automotive me 2 mijë punonjës e vendos koston e drejtpërdrejtë të punës në afërsisht një të katërtën e xhiros.

Pjesa tjetër lidhet me inputet e ndërmjetme, materialet, energjinë, pajisjet dhe shërbimet. Kjo do të thotë se një pagë më e ulët nuk mjafton për të kompensuar energjinë e pasigurt, humbjet në prodhim, vonesat logjistike apo mungesën e furnitorëve.

Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për më shumë fabrika, por për zgjerim të proceseve që kryhen brenda vendit. Në miniera, kjo mund të nënkuptojë rikuperim më të mirë të metaleve, përpunim më të avancuar të mineralit, përdorimin e nënprodukteve dhe zhvillimin e laboratorëve metalurgjikë.

Në industrinë automotive mund të jetë kalimi nga montimi te testimi, mirëmbajtja, prodhimi i kallëpeve dhe veglave, inxhinieria e procesit dhe më tej, zhvillimi i produktit.

Analiza e z. Braho e ndan këtë zhvillim në disa nivele. Faza bazë është montimi, ku materialet dhe një pjesë e njohurive vijnë nga kompania mëmë.

Më pas vijnë testimi, gjurmueshmëria digjitale, mirëmbajtja dhe inxhinieria e procesit. Niveli më i avancuar përfshin ndryshime në dizajn, simulim, laboratorë, homologim dhe menaxhim furnitorësh.

Sa më shumë nga këto funksione të kryhen në Shqipëri, aq më e lartë bëhet vlera e krijuar për punonjës dhe aq më e fortë bëhet lidhja e investimit me ekonominë vendase, thotë z. Braho.

 

 

Sa larg duhet të shkojë përpunimi i mineraleve

Në sektorin minerar, kjo çështje bëhet më komplekse. Materiali për mineralet evidenton se Shqipëria ka burime të konsiderueshme kromi, bakri dhe hekur-nikeli, por një pjesë e madhe e vlerës së mëtejshme të përpunimit realizohet jashtë vendit.

Vitin e kaluar, eksportet e nëntokës (bakër, krom, hekur) arritën në 11,1 miliardë lekë, me një vlerë të përafërt gjatë gjithë dekadës në varësi të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Por nëse ato do të kalonin proceset e përpunimit në vend, vlera e tyre do të shumëfishohej. Por operatorët e fushës thonë se ky është një proces pak më i ndërlikuar. Zhvillimi i një industrie metalurgjike nuk mund të mbështetet vetëm te fakti se lënda e parë ndodhet në Shqipëri.

Përpunimi i avancuar kërkon rezerva të mjaftueshme dhe të verifikuara, cilësi të përshtatshme të mineralit, energji, ujë, teknologji, kapital dhe një treg të sigurt për produktin.

Z. Uluyurt nga BERALB e lidh këtë drejtpërdrejt me cilësinë e informacionit gjeologjik. Sipas tij, që potenciali mineral të kthehet në investim, nevojiten teknologji moderne kërkimi, programe shpimi, të dhëna të detajuara dhe raportim i burimeve sipas standardeve ndërkombëtare.

Shqipëria ka një bazë të rëndësishme të dhënash historike, por ajo duhet digjitalizuar, rivlerësuar dhe plotësuar me studime të reja gjeofizike dhe gjeokimike. Një investitor i madh duhet të dijë sa mineral mund të nxirret, me çfarë cilësie, sa do të kushtojë përpunimi dhe kujt do t’i shitet produkti.

 

Zgjidhje të vogla dhe konkrete

Për z. Braho, për një ekonomi të vogël, mundësia mund të jetë më shumë te mbushja e boshllëqeve në industritë ekzistuese sesa te krijimi nga e para i industrive të mëdha.

Nëse një fabrikë automotive importon kallëpet dhe pajisjet e testimit, një pjesë e vlerës mund të krijohet duke zhvilluar furnitorë vendas.

Nëse disa kompani kanë nevojë për laboratorë dhe certifikim, mund të krijohen kapacitete që u shërbejnë disa fabrikave njëkohësisht. Nëse kompanitë minerare kërkojnë laboratorë metalurgjikë, mirëmbajtje të specializuar apo teknologji për trajtimin e ujërave, këto shërbime mund të kthehen në industri më vete.

Një ekosistem i tillë mund të rrisë vlerën e krijuar në vend pa qenë e nevojshme që çdo kompani të ndërtojë të gjithë zinxhirin brenda strukturës së saj. Të njëjtat pengesa dalin në minierë dhe në fabrikë.

Për BERALB, potenciali gjeologjik nuk mjafton. Z. Uluyurt rendit sigurinë juridike, parashikueshmërinë e lejeve, infrastrukturën, energjinë, burimet njerëzore dhe pranimin social ndër faktorët që ndikojnë një investim afatgjatë.

Sipas tij, procedurat për licencat, mjedisin, tokën dhe institucionet duhet të jenë të qarta dhe të qëndrueshme, sepse vonesat ose interpretimet e ndryshme ndikojnë drejtpërdrejt vendimet për investime.

Me gjithë këto potenciale, produktiviteti mbetet një ushtrim i vështirë. Në vitin 2024, vlera e shtuar bruto për punonjës në industrinë përpunuese ishte rreth 1.72 milionë lekë në vit.

Nëse kjo nuk rritet, hapësira për paga më të larta mbetet e kufizuar. Sokol Kraja, administrator i “Nexus Park Tirana”, e quan emigracionin “sfidën më reale”, duke e lidhur atë me diferencat e pagave dhe me aftësinë e ekonomisë për të krijuar më shumë vlerë të shtuar.

Për industrinë e metaleve, makinerive, pajisjeve elektrike dhe atë automotive duhen teknikë mirëmbajtjeje, specialistë të mekatronikës, programues CNC, inxhinierë cilësie, elektricistë industrialë dhe specialistë automatizimi.

Për industrinë ushqimore nevojiten teknologë dhe specialistë laboratorësh. Për tekstilet, ku modeli fason po përballet me presione në rritje, nevojiten dizajn, njohuri për materialet dhe zhvillim produkti.

 

Parqet industriale po testojnë një model tjetër

Investimet e para në zonat industriale po japin edhe disa sinjale për profilin e prodhimit që mund të tërheqë Shqipëria.

Në “Nexus Park Tirana”, sipas Sokol Krajës, janë angazhuar kompani italiane të sektorit farmaceutik dhe të pajisjeve mjekësore, përfshirë prodhues të pacemaker-ëve dhe defibrilatorëve kardiakë, si dhe kompani që lidhen me laboratorët dentarë dhe pajisjet spitalore.

Modeli synon t’i ofrojë investitorit ambientin dhe një pjesë të infrastrukturës gati, në mënyrë që ai të mos nisë çdo projekt nga zero. Një degë doganore brenda parkut pritet gjithashtu të lehtësojë procedurat e import-eksportit. Për një investitor të mesëm europian, koha që duhet për ta vënë një aktivitet në punë mund të jetë po aq e rëndësishme sa norma e taksës.

Këto investime kanë edhe një profil tjetër nga fasoneria klasike. Pajisjet mjekësore kërkojnë kontroll cilësie, certifikime, gjurmueshmëri dhe procese të standardizuara. Nëse aktivitetet konsolidohen, ato mund të krijojnë kërkesë për furnitorë dhe shërbime teknike që sot mungojnë.

 

 

Energjia e gjelbër është avantazh

Shqipëria ka një tjetër element që mund të ketë rëndësi në garën për investime, prodhimin e lartë të energjisë nga burime të rinovueshme.

Në një Europë ku gjurma e karbonit po ndikon gjithnjë e më shumë mbi mënyrën se si organizohen zinxhirët e furnizimit, kjo mund të jetë një pikë e fortë. Por fabrika nuk sheh vetëm origjinën e energjisë. Edhe në industrinë minerare, energjia po lidhet gjithnjë e më shumë me standardet mjedisore.

BERALB ka vendosur eficiencën energjetike dhe energjinë diellore ndër përparësitë e investimeve dhe ka nisur punën për një central fotovoltaik. Kompania ka nisur gjithashtu investimin për një impiant të trajtimit të ujërave të ndotura industriale. Këto investime janë pjesë e konkurrueshmërisë së kompanisë po aq sa pajisjet e prodhimit.

Rritja e vlerës së shtuar nuk kërkon domosdoshmërisht një kapërcim të menjëhershëm nga miniera te produkti final. Z. Uluyurt përmend rritjen e rikuperimit të metaleve, përmirësimin e cilësisë së koncentratit, shfrytëzimin e nënprodukteve, impiantet e pasurimit dhe laboratorët metalurgjikë si fusha ku mund të krijohet më shumë vlerë në vend.

Një fabrikë mund të ndjekë të njëjtën rrugë. Mund të nisë me montimin, më pas të marrë mirëmbajtjen, të prodhojë disa vegla apo kallëpe, të zhvillojë laboratorët dhe të kalojë gradualisht drejt funksioneve inxhinierike.

Për ekspertin Braho, në vend që suksesi industrial të matet vetëm me numrin e fabrikave apo me vlerën e investimit fillestar, do të kishte më shumë kuptim të shihej sa nga blerjet bëhen në Shqipëri, sa procese teknike kryhen këtu, sa furnitorë vendas krijohen dhe sa rritet vlera e shtuar për punonjës.

Në këtë mënyrë do të matej jo vetëm prania e industrisë, por edhe sa thellë ajo është rrënjosur në ekonominë vendase.

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Ankimohet në KPP tenderi 4.5 mln euro i FSHZH për projektet bashkiake infrastrukturore

Tenderi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), me fond limit 416.7 milionë lekë, ose rreth 4.5 milionë euro, për furnizimin me materiale ujësjell...

2 hours më parë 2 Min Lexim

Eksportet rriten 14.8% në shtator nga çmimet e naftës, por fasoni në prag falimenti, bie 16.2%

Eksportet i janë rikthyer rritjes së fortë në muajin shtator, të ndikuara kryesisht nga konjuktura e favorshme e çmimeve në bursat ndwrkombwtare, n...

2 hours më parë 7 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!