APL solidarizohet me studentët, të garantohet e drejta për tubim paqësor, pa dëmtime të pronës

APL – Aleanca e Profesionistëve të Lirë shpreh solidaritetin me studentët dhe mbështet të drejtën e tyre për tubim paqësor, për t’u dëgjuar dhe për të marrë përgjigje nga institucionet.
Përmes një njoftimi zyrtar, APL thotë se zgjatja e protestës pa një zgjidhje konkrete kërkon dialog të përgjegjshëm dhe angazhim institucional.
Shqetësimet për arsimin, punësimin dhe mundësitë e barabarta meritojnë trajtim serioz dhe masa të qarta. Ne nxisim qytetarët që marrin pjesë në protestë të veprojnë në mënyrë të ligjshme dhe paqësore. Trazirat e dhunshme nuk kanë vend në angazhimin qytetar.
APL – Aleanca e Profesionistëve të Lirë shpreh shqetësimin e thellë për pamjet e bëra publike nga ndërhyrja policore gjatë këtyre ditëve dhe kërkon verifikim të paanshëm të rrethanave dhe përcaktim të përgjegjësive për çdo tejkalim të ligjit. Ruajtja e rendit publik duhet të respektojë dinjitetin njerëzor; përdorimi i forcës duhet të jetë i ligjshëm, i domosdoshëm dhe proporcional.
Njëkohësisht, dënojmë çdo dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe çdo dëmtim të pronës publike apo private. Përgjegjësia për veprime të kundërligjshme është individuale dhe nuk përligj ndërhyrje pa dallim ndaj protestuesve paqësorë.
APL u bën thirrje institucioneve përgjegjëse të garantojnë të drejtën për tubim paqësor, sigurinë e qytetarëve dhe ushtrimin normal të veprimtarisë ekonomike, si dhe të angazhohen në dialog real e të gjerë për zgjidhjen e kësaj krize.
Anëtarët e APL-së ofrojnë mbështetje falas për profesionistët e lirë të prekur nga kjo situatë, për dokumentimin dhe përcjelljen e problematikave pranë institucioneve përgjegjëse, përfundon njoftimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









