Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje demokratëve, qytetarëve dhe bizneseve që të solidarizohen nesër në Tiranë me studentët që prej ditësh protestojnë kundër qeverisë së Edi Ramës.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se mijëra shqiptarë nga vende të ndryshme të Evropës pritet të udhëtojnë drejt kryeqytetit, ndërsa u bëri thirrje edhe prindërve dhe familjeve që t’i bashkohen protestës.
“Nesër, mijëra e mijëra burra, gra, djem dhe vajza, nga mbarë Evropa vërshojnë drejt Tiranës.
Ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo qytetare e qytetar, çdo prind, nënë, baba, ftoj të gjitha bizneset e vendit të solidarizohemi nesër në Tiranë me studentët, të cilët në këtë betejë epike po mbrojnë më shumë se çdo gjë tjetër të ardhmen e tyre në këtë vend, ëndrrën e tyre shqiptare nga një zjarrvënës, armik i egër i kombit.
Po mbrojnë dinjitetin e qytetarëve shqiptarë.
Janë ngritur viganë kundër bandave të drogës në qeveri, narkoshtetit me pasojat e tij shkatërrimtare, kreut të këtij narkoshteti, Padrinos Edi Rama.
Solidariteti dhe mbështetja jonë për studentët është e një rëndësie të jashtëzakonshme.
Ora e historisë fton nesër çdo shqiptar në Tiranë”, deklaroi Berisha.
Thirrja e kreut të PD-së vjen në ditën e katërt të protestave të studentëve, gjimnazistëve dhe qytetarëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.a.b




