Monday / October 19 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Turizmi shton shitjet për retail-in, por efekti mbetet sezonal

Share Share Icon

Flet Era Xhabafti zv.drejtoreshë e “MiniInvest Albania”

 

Në muajt e verës, rritja e numrit të turistëve ka sjellë shtim kërkesës për shumë produkte të shportës ushqimore, lëngje frutash, produkte të freskëta, snack-eve.

Sipas zv.drejtoreshës së “MiniInvest Albania”, Era Xhabafti, turistët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt blerjeve në dyqane për konsum në apartamente, vila dhe struktura akomoduese, duke i dhënë një shtysë të konsiderueshme shitjeve në retail. Megjithatë, ndikimi vijon të jetë kryesisht sezonal.

Znj. Xhabafti thekson se politikat për zgjatjen e sezonit turistik, duhen të shihen më me përparësi nga institucionet shtetërore, pasi turizmi është një mundësi për ta kthyer këtë kërkesë në një trend më të qëndrueshëm gjatë vitit.

 

Nga produktet e shportës ushqimore, cilat janë produktet më të shitura gjatë periudhës së verës dhe muajit shtator? Mund të veçoni disa prej produkteve dhe të na thoni si ka ndryshuar kërkesa aktualisht krahasuar me vitin e kaluar?

Gjatë sezonit të verës, produktet më të shitura në portofolin tonë kanë qenë kryesisht makaronat, lëngjet dhe produktet e freskëta, të cilat regjistrojnë kërkesë më të lartë si rezultat i rritjes së temperaturave dhe konsumit sezonal.

Me fillimin e muajit shtator, tendenca ndryshon ndjeshëm, e ndikuar veçanërisht nga nisja e shkollës (“back to school”). Në këtë periudhë është rritur kërkesa për produktet për fëmijë, veçanërisht ato që konsumohen gjatë orarit të shkollës, si snack-et, lëngjet dhe produktet e paketuara në formate praktike.

Po ashtu, vihet re kërkesë për kategori të tjera produktesh që prindërit zgjedhin si vakte të ndërmjetme për fëmijët.

 

Çfarë tendence keni konstatuar te sjellja e konsumatorit shqiptar gjatë kësaj vere dhe në fillim të muajit shtator? A është orientuar më shumë drejt produkteve me çmime promocionale dhe ofertave, apo ka pasur një kërkesë më të lartë për produkte cilësore, edhe në rastet kur çmimi ka qenë më i lartë?

Gjatë kësaj vere dhe veçanërisht në fillim të muajit shtator, kemi konstatuar se konsumatorët po i kushtojnë gjithnjë e më shumë rëndësi cilësisë së produkteve që zgjedhin për konsum.

Kjo tendencë është shoqëruar edhe me rritje të kërkesës për produkte cilësore gjatë muajit shtator.

Në të njëjtën kohë, konstatojmë se konsumatori është i orientuar edhe drejt produkteve promocionale, të cilat mbeten një faktor tërheqës për blerjen. Kompania jonë, në bashkëpunim me furnitorët dhe rrjetet e shitjes, ofron shpesh oferta dhe produkte promocionale, me qëllim që konsumatori të përfitojë sa më shumë.

Tregu është tepër konkurrues, ku çdo markë synon të rrisë praninë dhe shitjet. Për rrjedhojë, kompanitë përdorin strategji të ndryshme marketingu. Por promocioni nuk nënkupton domosdoshmërisht orientim drejt produkteve me cilësi më të ulët.

Përkundrazi, fushatat promocionale dhe të marketingut realizohen edhe për produkte cilësore, pasi konsumatori po kërkon gjithnjë e më shumë kombinimin më të mirë mes cilësisë dhe çmimit.

Oferta mbetet gjithmonë një nxitëse e rëndësishme e shitjeve. Për këtë arsye, në fokusin e kompanisë, në varësi edhe të sezonit të shitjeve të produkteve, zhvillohen aktivitete të ndryshme promocionale.

 

Po turistët si kanë ndikuar te kërkesa? A ka pasur rritje të kërkesës për mallra ushqimore si makarona, oriz, pije freskuese, alkoolike etj., për shkak të turizmit?

Turizmi po i jep shtysë të konsiderueshme shitjeve në shumë kategori dhe marka ushqimore. Ndikimi më i dukshëm është te markat ndërkombëtare, liderë në treg.

Turistët priren të konsumojnë më shumë marka ushqimore të njohura në vendet e tyre të origjinës.

Kërkesa nga turistët është kryesisht e përqendruar te pijet freskuese dhe pijet alkoolike.

Rritje të kërkesës ka edhe për produktet e shportës ushqimore, përfshirë makaronat, orizin, snack-et dhe produkte të tjera të përditshmërisë.

Një tendencë që vëmë re në rritje është se konsumi i turistëve është i orientuar edhe drejt produkteve që konsumohen në shtëpi, apo në strukturat akomoduese dhe jo vetëm në restorante. Kjo reflektohet në rritjen e kërkesës për produkte ushqimore dhe pije në sektorin e retail-it.

 

Kërkesa është më tepër e përqendruar në segmentin e retail-it, pra në rrjetin e dyqaneve për konsumatorin final?

Gjatë sezonit turistik, rritja më e lartë e shitjeve është në segmentin e retail-it, e ndikuar nga mënyra e konsumit të turistëve.

Ata nuk konsumojnë vetëm në restorante dhe në sektorin HORECA, por blejnë edhe në retail për konsum në apartamente, vila apo struktura të tjera akomoduese, si “Airbnb”.

Për rrjedhojë, në dyqanet pranë zonave bregdetare është vënë re rritje e kërkesës për produkte të gatshme, pije dhe snack-e, produkte bazë të shportës ushqimore, si dhe produkte të freskëta.

 

Nisur nga tendenca e shitjeve, a mund ta konsideroni turizmin vetëm si një faktor sezonal, apo po ndikon në shtimin e kërkesës edhe në muajt e tjerë të vitit?

Mendoj se turizmi vijon të mbetet një faktor sezonal dhe ndikimi i tij në konsum është i përqendruar në një periudhë relativisht të shkurtër të vitit, veçanërisht në muajt e verës, kur rritja e kërkesës është e dukshme.

Pas përfundimit të sezonit, efekti bie ndjeshëm dhe kjo mbetet një nga sfidat kryesore për sektorin. Qeveria, në bashkëpunim me grupet e interesit, duhet të nxisë përmes politikave zgjatjen e sezonit turistik, çka do të ndikonte në rritjen e kërkesës dhe qëndrueshmërinë e saj gjatë pjesës tjetër të vitit.

Shqipëria ka potencial për të tërhequr turistë edhe përtej periudhës së verës, duke krijuar efekte zinxhir në sektorin e akomodimit, retail-it dhe sektorë të tjerë të ekonomisë.

Lexoni edhe:

Dy anët e konsumit, shqiptarët dominojnë me makarona e oriz, turistët me ushqime të gatshme e alkool

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

BSH: Depozitat dhe kursimet e qytetarëve në sistemin bankar janë të sigurta

Banka e Shqipërisë në një njoftim për shtyp thekson se po ndjek me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet e ditëve të fundit në vend, veçanërisht incide...

2 hours më parë 4 Min Lexim
Koman

ERE rikthen në diskutim çmimet e HEC-eve të vegjël pas vendimit të Gjykatës së Lartë

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) do të rikthejë në shqyrtim çmimet e blerjes së energjisë elektrike nga prodhuesit me përparësi për vitet 2020 dh...

2 hours më parë 2 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!