Studentët, gjimnazistët dhe qytetarët janë rikthyer këtë të premte në rrugët e Tiranës, duke nisur marshimin e protestës me grumbullimin fillestar në qendër të kryeqytetit.
Protesta kundër qeverisë së Edi Ramës ka hyrë në ditën e katërt, ndërsa ende nuk është bërë i ditur itinerari që do të ndjekin protestuesit.
Me thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit, turma ka dalë sërish në rrugë, duke vijuar kundërshtimin që prej tri ditësh ka mbajtur të tensionuar kryeqytetin. Tubime janë zhvilluar edhe në qytete të tjera të vendit.
Tri ditët e para të protestës u shoqëruan me përplasje të forta me Policinë e Shtetit dhe episode dhune. Protestuesit hodhën sende të forta në drejtim të efektivëve dhe godinave, ndërsa u raportuan edhe tentativa për t’u vënë zjarrin institucioneve publike.
Gjatë trazirave, në shënjestër përfunduan edhe biznese private, të cilat pësuan dëme materiale.





