Monday / October 19 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Turistët ndryshojnë shportën e konsumit

Share Share Icon

Flet Klaudja Karabolli, drejtoreshë marketingu e rrjetit “Big Market”

 

Konsumi i shportës ushqimore të turistëve që vizitojnë vendin ndryshon ndjeshëm nga ai i vendasve.

Sipas Klaudja Karabollit, drejtuese e sektorit të marketingut në rrjetin e supermarketeve të “Big Market”, fluksi i turistëve ka sjellë ndryshime në tendencat e konsumit, me rritje të kërkesës për pije, ushqime të gatshme dhe produkte të freskëta.

Megjithatë, efektet në konsum vijojnë të jenë kryesisht sezonale.

Sipas znj. Karabolli, një nga sfidat kryesore për sektorin e retail-it mbetet shndërrimi i fluksit të turistëve në kërkesë të qëndrueshme gjatë gjithë vitit, si dhe orientimi i investimeve në mënyrë të përshtatshme me këto ndryshime në sjelljen e konsumatorëve.

 

Si ka qenë ecuria e konsumit të produkteve të shportës gjatë muajve të verës dhe në shtator? Si paraqitet periudha janar–gusht 2026 krahasuar me 2025?

Gjatë vitit 2026 kemi konstatuar konsum të qëndrueshëm të produkteve bazë të shportës, por me një ndryshim gjithnjë e më të dukshëm në mënyrën se si konsumatori ndërton shportën e tij.

Kategoritë si orizi, makaronat, vaji i lulediellit, sheqeri dhe mielli mbeten produkte me ndjeshmëri të lartë ndaj çmimit dhe aktiviteteve promocionale, ndërsa te bulmeti, vezët, mishi i pulës dhe sallamet, kriteret e freskisë, cilësisë, origjinës dhe raportit çmim–cilësi po marrin peshë më të madhe në vendimmarrje.

Në muajt e verës ndryshon edhe struktura e konsumit, sidomos në pikat tona në zonat turistike dhe bregdetare. Rritet kërkesa për produkte të freskëta, pije, artikuj të konsumit të menjëhershëm, produkte për mëngjes, snack, fruta-perime dhe formate praktike paketimi.

Në fillim të shtatorit, shporta rikthehet gradualisht drejt konsumit familjar dhe rutinës së përditshme. Për ne, treguesi më i rëndësishëm nuk është vetëm volumi, por evoluimi i “produkt miks” dhe aftësia për të përshtatur ofertën sipas zonës, sezonit dhe profilit të klientit.

 

Çfarë tendence keni konstatuar te sjellja e konsumatorit shqiptar gjatë kësaj vere dhe fillimit të shtatorit?

Konsumatori shqiptar është bërë më racional, më i informuar dhe më përzgjedhës. Nuk mendoj se tregu mund të lexohet më vetëm përmes ndarjes “çmim i ulët” kundrejt “cilësisë së lartë”. Sot konsumatori kërkon “value for money”: një kombinim të çmimit konkurrues, cilësisë, freskisë, komoditetit dhe përfitimit real.

Promocionet vazhdojnë të kenë ndikim të fortë në vendimmarrje, veçanërisht te produktet e konsumit të përditshëm.

Por paralelisht po konsolidohet një segment që është i gatshëm të paguajë më shumë për produkte të freskëta, cilësi të verifikueshme, origjinë të besueshme dhe eksperiencë më të mirë blerjeje.

Pikërisht këtu po fokusohet edhe marketingu ynë: jo vetëm te komunikimi i ofertës, por te ndërtimi i një marrëdhënieje afatgjatë me klientin.

Programi i besnikërisë “Big Besniku” është pjesë e kësaj qasjeje, duke na lejuar të kalojmë gradualisht nga promocioni masiv drejt një komunikimi më të personalizuar, shpërblimit të besnikërisë dhe krijimit të një ekosistemi ku klienti ka arsye konkrete për t’u rikthyer në rrjet.

 

A është reflektuar prania e lartë e turistëve të huaj edhe në rrjetin e “Big Market”?

Po. Prania e turistëve është reflektuar qartë në dinamikën e pikave tona, veçanërisht në zonat bregdetare dhe në Tiranë. Efekti nuk lidhet vetëm me rritjen e numrit të transaksioneve, por edhe me ndryshimin e strukturës së shportës dhe frekuencës së blerjes.

Për një rrjet kombëtar si “Big Market”, turizmi po kthehet në një faktor që duhet të merret në konsideratë që në fazën e planifikimit komercial: nga asortimenti dhe furnizimi, te komunikimi në pikën e shitjes dhe përshtatja e kategorive sipas profilit të zonës.

Kjo na shtyn të mendojmë gjithnjë e më shumë me logjikën e “local relevance”: një supermarket në një destinacion turistik nuk duhet të ketë domosdoshmërisht të njëjtën strukturë oferte si një pikë në një zonë rezidenciale.

 

Cilat janë produktet që turistët e huaj kanë blerë më shumë? A ndryshon shporta e tyre nga ajo e konsumatorëve vendas?

Po, shporta e turistit ka karakteristika të ndryshme nga shporta tradicionale familjare. Në përgjithësi, turistët orientohen më shumë drejt produkteve të konsumit të menjëhershëm, ujit dhe pijeve, produkteve të freskëta, snack-eve, artikujve për mëngjes, fruta-perimeve, produkteve lokale dhe formateve të përshtatshme për qëndrime të shkurtra.

Konsumatori vendas, ndërkohë, ka një shportë më të planifikuar dhe më të gjerë, me peshë më të madhe të produkteve bazë dhe blerjeve familjare.

Për ne, kjo diferencë është një mundësi marketingu dhe merchandising-u: të ndërtojmë mikse produktesh dhe ekspozime që i përgjigjen profilit real të klientit të çdo pike, duke rritur si komoditetin për konsumatorin, ashtu edhe produktivitetin komercial të hapësirës.

 

Sa për qind të shitjeve gjatë verës përbëjnë blerjet e turistëve të huaj? A ka ndryshim me vitin e kaluar?

Në kushtet kur identifikimi i çdo transaksioni sipas rezidencës së klientit nuk realizohet në mënyrë të plotë, nuk do të ishte korrekte të jepnim një përqindje të deklaruar pa një bazë të verifikueshme statistikore.

Ajo që mund të konfirmojmë nga performanca dhe dinamika e pikave në destinacionet turistike është se fluksi i vizitorëve të huaj ka ndikim të dukshëm në konsumin sezonal.

Nga pikëpamja menaxheriale, ne po punojmë që vendimmarrja të jetë gjithnjë e më shumë “data-driven”. Zhvillimi i kanaleve digjitale dhe i programit “Big Besniku” do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë frekuencën e blerjes, preferencat sipas kategorive dhe sjelljen e klientit, duke respektuar njëkohësisht standardet e privatësisë.

Objektivi është që analiza e klientit të përdoret jo thjesht për raportim, por për optimizimin e ofertës, promocioneve dhe investimeve.

 

A është turizmi vetëm faktor sezonal, apo po gjeneron konsum edhe jashtë sezonit të verës?

Turizmi vazhdon të ketë komponent të fortë sezonal, por ne po shohim një zgjatje të periudhës së aktivitetit turistik dhe kjo është shumë e rëndësishme për retail-in.

Tirana ka një dinamikë më pak sezonale, ndërsa edhe destinacionet bregdetare po përfitojnë gradualisht nga një sezon më i gjatë.

Kjo ndryshon mënyrën se si planifikohet rrjeti. Nuk mjafton më të përgatitesh vetëm për korrik–gusht; duhet të mendosh për kapacitetin e furnizimit, asortimentin, stafin, marketingun lokal dhe eksperiencën e klientit në një horizont më të gjatë.

Për “Big Market”, kjo krijon mundësi që investimet në zonat me potencial turistik të kenë një logjikë gjithnjë e më të qëndrueshme vjetore dhe jo vetëm sezonale.

 

A arrin turizmi të zëvendësojë boshllëkun e kërkesës që krijon emigracioni?

Turizmi dhe emigracioni janë dy fenomene me efekte të ndryshme mbi konsumin dhe nuk do të ishte e saktë të konsideronim se njëri e zëvendëson automatikisht tjetrin. Emigracioni ndikon në bazën e konsumatorit rezident dhe në konsumin e qëndrueshëm gjatë vitit, ndërsa turizmi krijon flukse shtesë që kanë intensitet, gjeografi dhe strukturë të ndryshme të shportës.

Megjithatë, rritja e turizmit është një mundësi e rëndësishme për sektorin e retail-it. Sfida është që këtë fluks ta kthejmë në kërkesë të qëndrueshme dhe në investime të mirëpozicionuara. Këtu lidhet drejtpërdrejt edhe strategjia e zgjerimit të “Big Market”.

Zgjerimin nuk e shohim thjesht si shtim të numrit të pikave, por si rritje të mbulimit të tregut dhe afërsisë me konsumatorin. Vendimmarrja për pika të reja duhet të mbështetet te potenciali demografik dhe turistik, densiteti i zonës, fuqia blerëse, flukset sezonale, konkurrenca, aksesueshmëria dhe potenciali afatgjatë i lokacionit.

Përparësi mbetet forcimi i pranisë në zonat urbane me kërkesë të lartë, por edhe pozicionimi strategjik në destinacionet turistike dhe zonat në zhvillim.

Në këtë fazë, avantazhi konkurrues nuk ndërtohet vetëm përmes pranisë fizike. Ai ndërtohet përmes kombinimit të rrjetit, fuqisë së markës, ofertës konkurruese, eksperiencës në dyqan, partneriteteve me furnitorët dhe besnikërisë së klientit.

Ambicia jonë është që zgjerimi fizik dhe transformimi i marrëdhënies me konsumatorin të ecin paralelisht, duke e konsoliduar “Big Market” si një rrjet kombëtar modern, të aksesueshëm dhe të orientuar nga klienti.

Si përfundim, për “Big Market”, tregu i sotëm kërkon ekuilibër mes çmimit, cilësisë, inovacionit dhe afërsisë me konsumatorin.

Zgjerimi i rrjetit, forcimi i “Big Besniku” dhe përdorimi më inteligjent i të dhënave janë pjesë e së njëjtës strategji: të jemi aty ku është klienti, ta kuptojmë më mirë dhe t’i ofrojmë një arsye të fortë për të zgjedhur “Big Market” në mënyrë të vazhdueshme.

 

Lexoni edhe:

Dy anët e konsumit, shqiptarët dominojnë me makarona e oriz, turistët me ushqime të gatshme e alkool

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

BSH: Depozitat dhe kursimet e qytetarëve në sistemin bankar janë të sigurta

Banka e Shqipërisë në një njoftim për shtyp thekson se po ndjek me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet e ditëve të fundit në vend, veçanërisht incide...

2 hours më parë 4 Min Lexim
Koman

ERE rikthen në diskutim çmimet e HEC-eve të vegjël pas vendimit të Gjykatës së Lartë

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) do të rikthejë në shqyrtim çmimet e blerjes së energjisë elektrike nga prodhuesit me përparësi për vitet 2020 dh...

2 hours më parë 2 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!