Skënder Hita letër të hapur policëve: Qëndroni të fortë, nuk jeni vetëm
Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u është drejtuar me një letër të hapur efektivëve të policisë, teksa protestat kanë hyrë në ditën e shtatë dhe punonjësit e rendit po përballen me orë të gjata shërbimi, tensione dhe episode dhune.
Në mesazhin e tij, Hita shpreh mirënjohjen dhe mbështetjen për punonjësit e policisë, duke theksuar se një pjesë e tyre janë lënduar gjatë ushtrimit të detyrës. Ai ndalet edhe te ana njerëzore e profesionit, duke kujtuar se pas çdo uniforme qëndron një person, me familjen dhe njerëzit e afërt që e presin me shqetësim në shtëpi.
Kreu i Policisë së Shtetit e cilëson të papranueshëm çdo sulm ndaj efektivëve dhe nënvizon se dhuna nuk mund të justifikohet. Në të njëjtën kohë, ai u kërkon punonjësve të vijojnë përmbushjen e detyrave me profesionalizëm, qetësi dhe vendosmëri, duke respektuar ligjin dhe dinjitetin e çdo qytetari.
Në përfundim të letrës, Hita u uron shërim të shpejtë efektivëve të plagosur dhe u jep garanci kolegëve se nuk do të jenë vetëm përballë sfidave të kësaj periudhe. Ai shpreh gjithashtu krenarinë për punonjësit që, sipas tij, i shërbejnë vendit me ndershmëri dhe përkushtim.
Letra e plotë:
Letër e hapur për punonjësit e Policisë së Shtetit
Të dashur kolegë,
Prej shtatë ditësh po përballeni me situata të vështira, me orë të gjata shërbimi, tension dhe akte të rënda dhune. Shumë prej jush janë lënduar në krye të detyrës.
Sot dua t’ju shpreh personalisht mirënjohjen, respektin dhe mbështetjen time të plotë.
E di se pas çdo uniforme është një njeri, një prind, një bashkëshort, një bir apo një bijë, që dikush e pret me shqetësim në shtëpi.
Asnjë sulm ndaj jush nuk është i pranueshëm. Asnjë akt dhune nuk mund të justifikohet.
Ju kërkoj të vijoni detyrën me profesionalizëm, qetësi dhe vendosmëri, duke respektuar në çdo moment ligjin dhe dinjitetin e çdo qytetari.
U uroj shërim të shpejtë kolegëve të plagosur dhe ju siguroj se nuk do të jeni vetëm në përballimin e këtyre sfidave.
Jam krenar për çdo punonjës policie që i shërben vendit me ndershmëri dhe përkushtim.
Qëndroni të fortë, të bashkuar dhe besnikë ndaj misionit tuaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



