Çfarë po ndodh në kupolën e DSIK-së, Altin Jani drejt largimit?
Altin Jani mund të mos e vijojë gjatë drejtimin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), teksa në institucionin përgjegjës për administrimin dhe mbikëqyrjen e informacionit të klasifikuar janë shfaqur një sërë problematikash.
Sipas informacioneve nga mazhoranca, në qendër të vëmendjes janë vendosur vonesat në procedurat për pajisjen me certifikata sigurie. Bëhet fjalë për aplikime që, në një numër rastesh, dyshohet se kanë mbetur pa përgjigje brenda afateve të parashikuara, ndërsa për disa të tjera ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.
Kjo situatë pritet të jetë një prej elementeve që mund të ndikojë në një ndryshim të mundshëm në drejtimin e institucionit.
Certifikatat e sigurisë, pikëpyetje mbi procedurat
DSIK ka një rol të rëndësishëm në procesin e verifikimit dhe pajisjes me certifikata sigurie të personave që kanë nevojë për akses në informacion të klasifikuar.
Pikërisht për këtë arsye, zvarritja e aplikimeve dhe mungesa e vendimmarrjes për një pjesë të kërkesave kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si janë administruar këto procedura.
Në disa raste, sipas informacioneve të bëra publike, aplikantët nuk kanë marrë përgjigje brenda afateve, ndërsa në raste të tjera procesi është zgjatur pa një vendim të qartë nëse certifikata do të miratohej apo do të refuzohej.
Në sfond edhe çështja e AKSHI-t
Emri i Altin Janit është përmendur gjithashtu në kontekstin e verifikimeve që lidhen me një prej hetimeve të SPAK, atë për çështjen e AKSHI-t.
Hetimi, i cili është zgjeruar pas denoncimeve të biznesmenit Gerond Meçe, ka vënë nën lupën e Prokurorisë së Posaçme persona dhe subjekte të ndryshme, ndërsa në këtë kuadër është prekur edhe çështja e certifikatave të sigurisë.
Në ditët e fundit, DSIK raportohet se ka marrë masa për pezullimin ose ngrirjen e certifikatave të sigurisë për disa persona dhe subjekte që ndodhen nën hetim nga SPAK.
Mes tyre janë përfshirë edhe persona që lidhen me grupin e dyshuar në dosjen e AKSHI-t.
Këto zhvillime e kanë bërë edhe më të rëndësishëm rolin e institucionit në kontrollin e personave që kanë akses në informacion të klasifikuar.
Kush pritet të marrë drejtimin e institucionit?
Nëse ndryshimi në krye të DSIK-së do të konkretizohet, vendimi për drejtuesin e ri pritet të merret nga qeveria.
Në diskutimet për pasuesin e mundshëm janë përmendur profile të ndryshme me eksperiencë në administratën publike dhe në institucionet që lidhen me drejtësinë dhe sigurinë.
Bëhet fjalë kryesisht për juristë dhe zyrtarë që kanë pasur eksperiencë në struktura të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme dhe institucione të tjera shtetërore me kompetenca në fushën e sigurisë.
Deri në këtë moment, megjithatë, nuk ka një vendim zyrtar të publikuar për shkarkimin apo zëvendësimin e Altin Janit.
DSIK nën presion për mënyrën e administrimit të informacionit të klasifikuar
Lëvizjet e mundshme në drejtimin e institucionit vijnë në një periudhë kur mënyra e administrimit të certifikatave të sigurisë është kthyer në një çështje me rëndësi të veçantë.
Hetimet e fundit kanë nxjerrë në pah raste ku persona ose kompani që kanë pasur akses në informacion të klasifikuar janë përfshirë më pas në procedime apo verifikime nga organet ligjzbatuese.
Kjo ka rikthyer debatin mbi efektivitetin e filtrave të sigurisë, procesin e verifikimit të aplikantëve dhe kontrollin e vazhdueshëm të personave pasi pajisen me certifikatën përkatëse.
Nëse qeveria vendos për ndryshimin e drejtimit të DSIK-së, vendimi do të vijë në një moment delikat për institucionin, i cili ndodhet përballë nevojës për të garantuar që informacioni i klasifikuar të jetë i aksesueshëm vetëm nga persona që plotësojnë të gjitha kriteret e sigurisë.
Për momentin, mbetet për t’u parë nëse ndryshimi i drejtimit do të konkretizohet dhe cili do të jetë emri që do të marrë përgjegjësinë për një prej strukturave më të ndjeshme të administratës shtetërore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



