Besimi te monedha vendase, depozitat në lekë u rritën dy herë më shumë se ato në euro në korrik

Depozitat në monedhën vendase kanë shënuar rritje të fortë gjatë muajit korrik, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, të nxitura si nga bizneset ashtu dhe nga individët.
Edhe kursimet në euro janë rritur po me ritme më të ngadalta, ndonëse përgjithësisht kjo është një periudhë sezonale ku fiton terren monedha e përbashkët për shkak të prurjeve nga turizmi.
Shtesa e kursimeve në lekë në korrik, në raport me muajin e mëparshëm ishte 16 miliardë lekë, (rreth 170 milionë euro), kundrejt 87 milionë euro të monedhës së përbashkët për të njëjtën periudhë.
Sipas statistikave të publikuara nga Banka Qendrore, në korrik,. Stoku i depozitave në lekë në fund të korrikut arriti rekordin e 782 miliardë lekëve, me një zgjerim prej 16 miliardë lekë, ose 2.1% në krahasim me qershorin e muajit të mëparshëm.
Zgjerimi ka ardhur kryesisht nga depozitat pa afat, si në për bizneset ashtu dhe për individët. Kjo është rritja më e madhe vjetore që nga janari, teksa në muajin e parë të vitit ka një zgjerim të depozitave të bizneseve si rrjedhojë e pagesave për punime të ndryshme që kryhen nga buxheti.
Në krahasim me korrikun e vitit 2025, depozitat në monedhën vendase janë rritur me 116 miliardë lekë, ose gati 1.2 miliardë lekë, të konvertuara me kursin mesatar të periudhës.
Forcimi i vazhdueshëm i monedhës vendase duket se ka rritur besimin te leku. Duket se dhe pritshmëritë janë që leku të vazhdojë të forcohet më tej, duke nxitur mbajtjen e kursimeve në këtë monedhë.
Monedha vendase është forcuar ndjeshëm ndaj euros, duke u këmbyer aktualisht afër 92 lekëve, nga 140 lekë një dekadë më parë.
Euro rritet më ngadalë
Situata është krejt e ndryshme nga vitet e mëparshme, kur kursimet në euro po rriteshin me shpejtësi. rënia e euros duket se po bën atë që Banka e Shqipërisë nuk e bëri dot, de euroizimin e vendit.
Në korrik, stoku i depozitave i raportuar në euro ishte 9.3 miliardë euro, me një rritje prej 87 milionë eurosh, ose 0.94% në raport me qershorin e 2026-s. Rritja erdhi në pjesën më të madhe nga individët (+45 mln lekë) dhe më pak nga bizneset (+21 mln lekë) për kursimet pa afat.
Në krahasim me një vit më parë, depozitat në euro janë rritur me 1.04 miliardë euro, me ritme më të ngadalta se ato në lekë.
Ky është viti i dytë radhazi që depozitat në lekë po rriten më sh[pejt se ato në euro.
Për krahasim, në 2024-n, depozitat në euro u zgjeruan me 635 milionë euro dhe në lekë me 49 miliardë lekë.
Banka e Shqipërisë raporton stokun e depozitave të konvertuara në lekë, që arriti në 1.56 miliardë lekë, nga të cilat 782 miliardë lekë në monedhën vendas, dhe 781 miliardë lekë në euro, por vlera e euros e konvertuar në lekë është e zhvlerësuar, për shkak të kursit.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









