Përplasje diplomatike Bosnjë-Serbi/Sarajeva tërheq stafin dhe dëbon dy diplomatë serbë

Rajon | 1 muaj më parë

Përkeqësohen më tej marrëdhëniet mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë, pas reagimit të ashpër të Sarajevës ndaj zhvillimeve të fundit në Beograd. Ministri i Jashtëm boshnjak, Elmedin Konakoviq, ka njoftuar se do të tërheqë pjesën më të madhe të stafit të ambasadës së Bosnjë-Hercegovinës në Beograd.

Në ambasadë do të mbeten vetëm ambasadori dhe konsulli, pasi ministri nuk ka kompetencë për t’i larguar ata, ndërsa emërimi i tyre bëhet nga Presidenca e Bosnjë-Hercegovinës. Vendimi erdhi pas ceremonive të zhvilluara në Serbi për Ratko Mlladiqin dhe mesazheve që autoritetet boshnjake i kanë cilësuar si glorifikim të një krimineli të dënuar për krime lufte.

“Kjo është kambana e fundit e alarmit”, deklaroi Konakoviq, duke iu referuar edhe një mesazhi të shfaqur gjatë një ndeshjeje futbolli në Beograd. Në të njëjtën kohë, ai shpalli persona të padëshiruar dy zyrtarë të Ambasadës së Serbisë në Sarajevë dhe duke u dhënë 48 orë kohë për të lënë vendin.

Gjatë kësaj konference, ministri boshnjak drejtoi akuza të forta edhe ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq për nxitje të tensioneve rajonale. Për shkak të këtyre zhvillimeve, Bosnja ka tërhequr gjithashtu pëlqimin për nënshkrimin e një deklarate të përbashkët rajonale në Mal të Zi.

Sipas diplomacisë boshnjake, Beogradi po ndjek sërish praktikat e rrezikshme të viteve ’90 që dëmtojnë fqinjësinë e mirë. Konakoviq i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të reagojë qartë ndaj tolerimit të këtyre mesazheve që kërcënojnë sigurinë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme