Pagat e bllokuara të magjistratëve, Çela thërret mbledhje urgjente
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka thirrur një mbledhje urgjente në Tiranë lidhur me situatën e krijuar për pagat e bllokuara të magjistratëve.
Sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha, takimi është kërkuar nga kreu i Prokurorisë së Përgjithshme dhe do të zhvillohet nesër, në orën 10:00, në selinë qendrore të akuzës.
Në mbledhje pritet të marrin pjesë drejtuesit e prokurorive të rretheve, si edhe përfaqësues të Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë. Për takimin janë ftuar gjithashtu edhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).
Qëllimi i mbledhjes është diskutimi i situatës së krijuar rreth pagave të magjistratëve dhe dalja me një qëndrim të përbashkët të organit të akuzës për këtë çështje.
Debati për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve
Çështja e pagave të reja për gjyqtarët dhe prokurorët ka qenë në qendër të diskutimeve gjatë ditës, pas reagimit të Gjykatës Kushtetuese.
Dy këshillat, përkatësisht Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, kishin llogaritur pagat e reja të magjistratëve bazuar në një formulë që ishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese.
Megjithatë, zbatimi i kësaj formule dhe pagesa e shumave të reja ka sjellë përplasje institucionale dhe ka lënë të bllokuara pagat e magjistratëve.
Në fundjavë, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi gjatë një konference se çështja e pagave duhet të zgjidhet përmes një ndërhyrjeje ligjore.
Sipas tij, vendimmarrja për pagat nuk mund të bëhet vetëm përmes akteve administrative, por kërkon miratimin e një ligji të ri nga Kuvendi.
Në këtë kuadër, më 30 korrik është përcjellë në Kuvend projektligji i ri për pagat, i cili pritet të përcaktojë mënyrën e re të trajtimit financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Mbledhja e thirrur nga Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela pritet të shërbejë për koordinimin e qëndrimit të drejtuesve të prokurorive dhe përfaqësuesve të magjistratëve përballë situatës së krijuar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



