Ahmetaj: Vettingu është dirigjuar nga Rama dhe motra e Ballukut
Ish-zëvendëskryeministri: Kanë tentuar të rrëmbejnë fëmijën tim të vogël
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili ndodhet jashtë Shqipërisë, ka bërë akuza të forta lidhur me mënyrën se si është zhvilluar procesi i vettingut në sistemin e drejtësisë.
Gjatë intervistës së tij për gazetarin Çim Peka, Ahmetaj pretendoi se procesi i vettingut është ndikuar politikisht dhe se pas tij kanë qëndruar persona të lidhur me mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama.
Sipas Ahmetajt, deformimi i sistemit të drejtësisë ka nisur që në fazën e vettingut. Ai përmendi tre persona që, sipas tij, kanë pasur ndikim në këtë proces: një këshilltare të kryeministrit, e cila më herët ka punuar në Kryeministri, motrën e Belinda Ballukut dhe vajzën e një miku të hershëm të Edi Ramës.
“Nuk e mendoja kurrë që deformimi do të fillonte nga vettingu. Shqiptarët duhet ta dinë që vettingu është bërë nën kujdestari politike të kreut të organizatës dhe kanë qenë tre personazhe kryesorë në vetting”, deklaroi Ahmetaj.
Ai vijoi duke renditur personat për të cilët pretendon se kanë pasur rol në proces, duke iu referuar me tone të ashpra figurave të përmendura.
“E para, këshilltarja e kryeministrit, që nga zyrat e Kryeministrisë shkoi në vetting; e dyta, motra e plaçkitëses dhe e treta, vajza e një miku të hershëm të kreut të organizatës”, u shpreh ish-zëvendëskryeministri.
Ahmetaj: Rama nga “shpresa e shqiptarëve” në “qelizën alfa kancerogjene”
Në vijim të intervistës, Arben Ahmetaj i ashpërsoi akuzat ndaj Edi Ramës, duke përdorur një metaforë të fortë për të përshkruar kryeministrin dhe ndikimin e tij, sipas tij, mbi vendin dhe Partinë Socialiste.
Ahmetaj tha se Rama e nisi karrierën në krye të qeverisë si një figurë nga e cila shqiptarët prisnin përfundimin e tranzicionit, por sipas tij, me kalimin e viteve situata ka ndryshuar krejtësisht.
“Ky njeri e filloi rrugëtimin në krye të qeverisë si shpresa e shqiptarëve për të mbyllur tranzicionin dhe sot i ka dalë të jetë qeliza alfa kancerogjene në trupin e Shqipërisë dhe të Partisë Socialiste. Unë nuk e di, është e trishtë, nëse Partia Socialiste do të shpëtojë nga metastazat e këtij”, deklaroi Ahmetaj në emisionin “Çim Peka Live”.
I pyetur për të ardhmen e Partisë Socialiste, ish-zëvendëskryeministri tha se nuk mund të parashikojë se çfarë do të ndodhë me këtë forcë politike, por shprehu bindjen se Shqipëria do të arrijë të kapërcejë situatën aktuale.
Ahmetaj sqaroi gjithashtu se metafora e “qelizës kancerogjene” nuk i referohej Partisë Socialiste në tërësi, por drejtpërdrejt Edi Ramës.
“Uroj të shpëtojë, nuk e di. Zoti Peka, Shqipëria do të shpëtojë. Shqipëria ka antitrupa fantastikë për të mbytur qelizën kancerogjene alfa. Jo, nuk është Partia Socialiste. Është kreu i organizatës. Ua kam thënë qytetarëve dhe po ta them edhe ty sot”, tha ai.
Ahmetaj: Jam bërë “kokë turku” nga Rama dhe Dumani
Ahmetaj deklaroi më tej se, sipas tij, Edi Rama tashmë ka humbur kontrollin dhe se ai vetë nuk ka qenë pjesë e asaj që e cilësoi si një “organizatë kriminale”.
Ai pretendoi se gjatë viteve të fundit është përdorur si “kokë turku” dhe e lidhi këtë situatë edhe me ish-kreun e SPAK, Altin Dumani.
“Unë po të them, kreu i organizatës ka rënë. Ju dhe unë e njohim shumë mirë Ramën. Kur ai njeri gjendet në ditë të vështirë, ai nuk ka fytyrë dhe fillon të lëpihet. Unë nuk bëj pjesë në organizatën e tij kriminale”, u shpreh Ahmetaj.
Sipas tij, gjatë periudhës së qeverisjes së Ramës ka pasur një sërë zhvillimesh për të cilat ai pretendon se nuk ka qenë pjesë, duke përmendur ndër të tjera kanabizimin e vendit dhe çështje që lidhen me projekte të TVSH-së.
Ahmetaj më pas u ndal te çështja penale ndaj tij dhe akuzat që ka ngritur prej kohësh për mënyrën se si është trajtuar nga institucionet e drejtësisë.
“Historia e këtyre tre viteve, modeste, e shpejtë, ka treguar që jo vetëm që s’kam bërë pjesë, por jam bërë kokë turku nga ai dhe nga Altin Dumani”, deklaroi ai.
Ish-zëvendëskryeministri shkoi edhe më tej me pretendimet e tij, duke thënë se disa segmente brenda SPAK-ut, sipas tij, kanë qenë në dijeni se dërgimi i tij në burg mund të përfundonte në një situatë të rrezikshme për jetën e tij.
“Segmente brenda SPAK-ut e kanë ditur që përshpejtimi i çuarjes time në burg do të çonte në eliminimin tim fizik”, pretendoi Ahmetaj.
Pretendimi për tentativën e rrëmbimit të fëmijës
Gjatë intervistës, Ahmetaj bëri edhe një tjetër deklaratë të rëndë, duke pretenduar se është tentuar rrëmbimi i fëmijës së tij të vogël.
Ai tha se për këtë ngjarje disponon denoncime, komunikime dhe mesazhe, ndërsa përmendi edhe një person që, sipas tij, ka pasur dijeni për rastin.
Ahmetaj deklaroi se ka kërkuar të shohë pamjet e kamerave të sigurisë për të kuptuar se kush qëndronte pas kësaj ngjarjeje.
“Kanë tentuar të rrëmbejnë fëmijën tim të vogël. Ka denoncime, ka dhe një emër, të pronarit të firmës së sigurisë të Parkut të Liqenit. Nuk dua ta përmend. Kam diskutime, kam SMS të ruajtura”, tha ai.
Ish-zëvendëskryeministri shtoi se nuk ka asnjë konflikt me personin në fjalë dhe se, sipas tij, ai thjesht ka kryer detyrën e vet.
Akuza për hetime ndaj familjarëve
Ahmetaj foli gjithashtu për hetimet që, sipas tij, kanë prekur edhe familjarët e tij. Ai pretendoi se kontrollet dhe verifikimet kanë shkuar deri te fëmija i tij i mitur.
Duke folur për këtë çështje, Ahmetaj tha se nuk do të përdorë të dhëna që pretendon se disponon për familjarët e zyrtarëve të tjerë, pasi nuk dëshiron të përfshijë fëmijët apo bashkëshortet e tyre në përplasjet politike dhe juridike.
“Unë s’merrem me fëmijët e askujt. As me gratë e askujt, siç janë marrë me fëmijët e mi”, deklaroi Ahmetaj.
Ai pretendoi se gjatë hetimeve janë kontrolluar edhe të dhëna financiare që lidhen me fëmijët e tij, ndërsa tha se disponon dokumente dhe pagesa që, sipas tij, mund të hedhin dritë mbi mënyrën se si janë trajtuar familjarët e zyrtarëve të ndryshëm.
Ahmetaj: Më kanë kërcënuar grupe kriminale
Në pjesën e fundit të deklaratave të tij, Arben Ahmetaj pretendoi se ndaj tij janë përdorur edhe grupe kriminale për ta kërcënuar.
Ai tha se ka marrë telefonata dhe mesazhe, të cilat sipas tij lidhen me persona dhe zona që ai i konsideron të afërta me trafikun e kokainës.
Ahmetaj deklaroi se do të ndjekë rrugët ligjore ndaj personave që, sipas tij, kanë shkelur ligjin ose janë përfshirë në intriga dhe kërcënime ndaj tij.
“Unë do të merrem me të gjithë ata që kanë shkelur ligjin, me të gjithë ata që janë marrë me intriga ndaj meje. Do të merrem patjetër, në të gjitha mënyrat ligjore. Më kanë kërcënuar. Kanë vënë grupe kriminale të më kërcënojnë”, tha Ahmetaj.
Ai shtoi se telefonatat dhe mesazhet e fundit që ka marrë, sipas tij, kanë ardhur nga zona që i konsideron të lidhura me trafikun e kokainës.
Deklaratat e Arben Ahmetajt janë pretendime të tij të bëra gjatë intervistës dhe nuk përbëjnë, në vetvete, konstatime të provuara gjyqësisht.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



