E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ahmetajt nuk i del e keqja: Rama donte të më bënte “kokë turku”
Lajme

Ahmetajt nuk i del e keqja: Rama donte të më bënte “kokë turku”

“Po të isha në Shqipëri, familja ime do numëronte ditët e burgut”

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka vijuar rrëfimin e tij nga Zvicra, duke hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe segmenteve të sistemit të drejtësisë.

Në intervistën e pestë të dhënë për gazetarin Çim Peka, Ahmetaj është ndalur te përballja e tij me drejtësinë dhe te mënyra se si, sipas tij, është trajtuar çështja që e detyroi të largohej nga Shqipëria.

Ahmetaj deklaroi se Edi Rama kishte synuar ta përdorte si “kokë turku”, ndërsa tha se nëse do të kishte qëndruar në Shqipëri, sot do të kishte kaluar 38 muaj në paraburgim.

Sipas ish-zëvendëskryeministrit, zvarritja e procesit gjyqësor do të kishte rënduar jo vetëm mbi të, por edhe mbi familjen e tij, e cila, sipas tij, do të detyrohej të numëronte ditët e burgimit.

Ai ngriti akuza të drejtpërdrejta ndaj disa segmenteve të SPAK dhe sistemit të drejtësisë, duke pretenduar se ato kanë tejkaluar kompetencat dhe kanë cenuar rendin kushtetues.

“Segmente të SPAK-ut dhe segmente të drejtësisë kanë përmbysur rendin kushtetues në pseudo-drejtësi. E kam thënë që edhe Aranit Çela do t’i kishte zili për sjelljet, shkeljet, brutalitetin dhe daljen nga ligji që kanë bërë segmente të SPAK-ut dhe të drejtësisë. Më pas kemi mundësi t’i theksojmë”, deklaroi Ahmetaj.

Ai vijoi duke sjellë në vëmendje situatën në të cilën, sipas tij, do të ndodhej sot nëse nuk do të ishte larguar nga Shqipëria.

“Për qytetarët, sot unë do të isha 38 muaj në paraburgim. Pra, imagjinoni, të nderuar qytetarë, unë isha deputet. U shkarkova në mënyrë simbolike nga kreu i organizatës. Qesharake, perverse, inovacione arkaike, janë kundërshti si fjalë, por sigurisht simbolin e kaloi dhe sot, pas 38 muajsh, unë do të numëroja dhe familja ime do të numëronte ditët e burgut. Pse? Se deshte kreu i organizatës…”, u shpreh ish-zëvendëskryeministri.

Një pjesë të rëndësishme të intervistës Ahmetaj ia kushtoi edhe funksionimit të institucioneve të drejtësisë. Ai tha se beson se Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë mund të luajnë një rol vendimtar në rikthimin e, siç e cilësoi ai, rendit kushtetues në sistemin e drejtësisë.

Sipas tij, në të ardhmen do të ketë prokurorë dhe gjyqtarë që do ta ushtrojnë detyrën në përputhje me ligjin dhe do ta konsiderojnë atë si një përgjegjësi me rëndësi kombëtare.

“Do të ketë prokurorë dhe gjyqtarë që do të bëjnë prokurorin dhe gjyqtarin siç duhet dhe nuk do ta quajnë punë të zakonshme, por mision kombëtar. Kam besim që edhe Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë kanë mundësi të rivendosin rendin kushtetues në drejtësi”, tha Ahmetaj.

Ish-zëvendëskryeministri përsëriti më tej akuzat e tij ndaj disa segmenteve të SPAK dhe drejtësisë, duke i akuzuar për veprime që, sipas tij, kanë çuar në cenimin e parimeve kushtetuese.

“Segmente të SPAK dhe të drejtësisë kanë përmbysur rendin kushtetues në pseudodrejtësi. Dhe Aranit Çela do t’i kishte zili me sjelljen dhe daljen nga ligji që kanë bërë”, përfundoi Ahmetaj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.