E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skënder Hita i pakënaqur, “i tërheq veshin” Policisë së Shkodrës
Lajme

Skënder Hita i pakënaqur, “i tërheq veshin” Policisë së Shkodrës

“Zbardhni vrasjet dhe godisni grupet kriminale”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një takim me drejtuesit dhe strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, ku në qendër të diskutimeve ka qenë situata kriminale dhe performanca e strukturave vendore.

Gjatë mbledhjes, Hita ka shprehur pakënaqësi për rezultatet e Policisë së Shkodrës, duke kërkuar një angazhim më të madh dhe rezultate konkrete në përballimin e problematikave që lidhen me kriminalitetin.

Kreu i Policisë së Shtetit e njeh nga afër këtë strukturë, pasi gjatë vitit 2021 ka qenë në drejtimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër për rreth katër muaj.

Një ndër shqetësimet kryesore të ngritura gjatë takimit ka qenë niveli i zbulueshmërisë së veprave të rënda kriminale, veçanërisht i vrasjeve. Po ashtu, vëmendje e veçantë i është kushtuar aktivitetit të grupeve kriminale, si dhe parandalimit dhe goditjes së kultivimit e trafikimit të kanabisit.

Në analizën e situatës nuk kanë munguar as problematikat që lidhen me sigurinë rrugore. Një tjetër çështje e diskutuar ka qenë siguria në institucionet arsimore, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor.

Hita u ka kërkuar drejtuesve vendorë që të rrisin efektivitetin e punës dhe të fokusohen në rezultate më të prekshme, veçanërisht në identifikimin dhe goditjen e grupeve kriminale dhe në zbardhjen e ngjarjeve të rënda.

Intensifikimi i kontrolleve dhe masave kundër kultivimit të lëndëve narkotike ka qenë gjithashtu një prej kërkesave të drejtuesit të Policisë së Shtetit ndaj strukturave të Shkodrës.

Takimi është zhvilluar në një ditë të tensionuar për qytetin, pas vrasjes së 24-vjeçarit Ylber Luli në Shkodër. Në lidhje me këtë ngjarje, Policia ka arrestuar Andri Vulajn, i dyshuar për kryerjen e krimit.

Mbledhja mes drejtuesit të Policisë së Shtetit dhe strukturave vendore të Shkodrës ka zgjatur më shumë se një orë.

Takimi në Shkodër është pjesë e një serie analizash dhe mbledhjesh që Skënder Hita po zhvillon me strukturat policore në qarqe të ndryshme të vendit. Qëllimi i këtyre takimeve është vlerësimi i punës së strukturave vendore, përcaktimi i prioriteteve dhe kërkesa për një reagim më efikas ndaj kriminalitetit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.