Deklarata e fortë: Evis Sala iku se nuk firmosi “Kayo-n” në shëndetësi
Ahmetaj: Rama foli për Evis Salën në grup, “Kayo” po shtrihet edhe në shëndetësi
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka vijuar deklaratat e tij të forta kundër qeverisë Rama, duke ngritur pretendime të reja lidhur me sektorin e shëndetësisë, biznesmenin Ron Yeffet dhe atë që ai e cilëson si “koncepti Kayo”.
Në një intervistë për emisionin “Çim Peka Live”, Ahmetaj pretendoi se kryeministri Edi Rama ka folur gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar socialist për largimin e Evis Salës nga detyra dhe për një projekt në sektorin e shëndetësisë, i cili, sipas tij, do të realizohej pa një proces tenderimi.
Sipas Ahmetajt, në mbledhje është thënë se largimi i Salës lidhej me faktin se ajo nuk kishte pranuar të firmoste një projekt të caktuar.
“E ka deklaruar dhe në grup: ministrja iku se nuk firmosi, por ‘ne do të bëjmë një gjë fantastike, pa tender, me izraelitë’. Ky është roli i Yeffetit”, deklaroi Ahmetaj.
Ahmetaj: “Prej 9-10 muajsh tentojnë të marrin Delvinën”
Një pjesë tjetër e deklaratave të Ahmetajt lidhet me zonën e Delvinës. Ai pretendoi se prej disa muajsh po tentohet që kjo zonë t’i kalojë biznesmenit Ron Yeffet përmes një modeli që ai e ka cilësuar si “koncepti Kayo”.
“Prej 9-10 muajsh tentojnë që të grabisin Delvinën, që t’ia japin Yeffet-it me konceptin Kayo. Shteti krijon një kompani, siç ka krijuar Kayo-n. Këtu nis: marrin vëmijët 80% dhe 20% shteti i shkretë”, u shpreh ish-zëvendëskryeministri.
Ahmetaj pretendoi se ky model parashikon krijimin e kompanive ku pjesa më e madhe e përfitimeve, sipas tij, përfundon te subjekte private, ndërsa shteti mbetet me një përqindje më të vogël.
Ai e ashpërsoi më tej gjuhën ndaj personave që, sipas tij, përfitojnë nga këto skema.
“Vëmijët nuk hedhin asnjë cent, por thithin gjakun e shqiptarëve. Këto janë krijesa të Ramës”, tha Ahmetaj.
Akuza për kontrata publike pa konkurrencë
Në vijim të intervistës, Ahmetaj ngriti akuza edhe për mënyrën se si, sipas tij, po krijohen struktura që përfitojnë kontrata dhe projekte publike pa konkurrencë të hapur.
Ai pretendoi se bëhet fjalë për një mekanizëm përmes të cilit paratë publike orientohen drejt kompanive të caktuara, ndërsa shteti, sipas tij, përfiton një pjesë shumë më të vogël.
Deklaratat e ish-zëvendëskryeministrit u shoqëruan me kritika ndaj deputetëve socialistë, të cilët ai i akuzoi për heshtje përballë asaj që e cilësoi si abuzim me fondet publike.
“Nuk i kuptoj deputetët e partisë time që nuk bëjnë zë për plaçkitjen. Bëjnë zë për asgjë, por nuk flasin për kalibrin ndërkombëtar të grabitjes dhe për këto që janë praktikisht mafia shtetërore”, deklaroi ai.
Ahmetaj përmend edhe “Ermal Raketën”
Në fund të kësaj pjese të intervistës, Ahmetaj foli për atë që ai e përshkroi si një skemë më të gjerë të devijimit të parave të buxhetit përmes strukturave që i konsideron kriminale.
Në deklaratat e tij, ai përmendi edhe personazhin që e identifikoi si “Ermal Raketa”, duke pretenduar se bëhet fjalë për ministrin aktual të Mbrojtjes.
Ahmetaj i lidhi këto pretendime me atë që ai e quan “koncepti Kayo” dhe me mënyrën se si, sipas tij, po ndërtohen marrëdhënie mes politikës dhe biznesit.
Të gjitha akuzat dhe pretendimet e mësipërme janë deklarata të Arben Ahmetajt gjatë intervistës dhe nuk përbëjnë fakte të provuara gjyqësisht.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



