E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Sherri mes biznesmenëve për pronat në Vlorë, reagon ASHK
Lajme

Sherri mes biznesmenëve për pronat në Vlorë, reagon ASHK

Në 2025 e kemi kallëzuar në SPAK, ka dyshime për falsifikim

Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka reaguar lidhur me konfliktin e pretendimeve pronësore në zonën mes Drimadhës dhe Palasës, ku përballen dy subjekte biznesi.

Në përgjigjen e saj, ASHK ka dhënë detaje mbi dokumentacionin e depozituar për pronat në këtë zonë, lejet e ndërtimit dhe procedurat e regjistrimit, duke sqaruar gjithashtu se cilat janë të dhënat që rezultojnë aktualisht në regjistrat e administruar nga institucioni.

Sipas ASHK-së, zona e përmendur në kërkesën për informacion i përket Zonës Kadastrale nr. 1739. Procesi i regjistrimit fillestar për këtë zonë, i realizuar në bashkëpunim me Bashkinë Himarë, pritet të përfundojë brenda vitit 2027.

Çfarë dokumentesh ka depozituar “Delta” sh.a.?

Nga verifikimi i të dhënave të administruara nga ASHK rezulton se subjekti “Delta” sh.a., i lidhur me biznesmenin Muça, ka depozituar gjatë viteve 2019, 2020 dhe 2021 dokumentacion ligjor për disa tituj pronësie.

Sipas institucionit, këta tituj pronësie janë fituar përmes kontratave të shitblerjes, ndërsa origjina e tyre lidhet me vendime të ish-komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronave, vendime gjykatash dhe AMTP.

ASHK sqaron gjithashtu se më 24 korrik 2024 është regjistruar në regjistrin e veçantë të lejeve të ndërtimit një leje e përfituar nga ky subjekt për projektin “Delta Falaise Resort & Village, Zona 1”.

Sipas të dhënave të institucionit, kjo është e vetmja leje ndërtimi e regjistruar deri tani që lidhet me çështjen për të cilën është kërkuar informacion.

Çfarë thotë ASHK për subjektin tjetër?

Sa i përket subjektit tjetër të përfshirë në konfliktin e pretendimeve pronësore me “Delta” sh.a., ASHK deklaron se nga verifikimi i regjistrave nuk rezulton që ky subjekt të ketë paraqitur kërkesë apo të jetë pajisur me vërtetim pronësie për zonën në fjalë.

Megjithatë, institucioni ka konstatuar se në të njëjtën zonë është paraqitur kërkesë dhe është lëshuar, në korrik 2024, një vërtetim pronësie në emër të një individi tjetër.

Sipas ASHK-së, titulli i pronësisë në fjalë e ka origjinën te një vendim i ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Dokumentet janë dërguar në SPAK

Një prej elementeve më të rëndësishme të përgjigjes së ASHK-së lidhet me këtë titull pronësie.

Institucioni bën me dije se, pas verifikimeve administrative dhe për shkak të çështjeve që kërkojnë vlerësim nga organet kompetente, dokumentacioni përkatës është përcjellë në vitin 2025 pranë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK).

Sipas ASHK-së, arsyeja e përcjelljes së dokumentacionit lidhet me ekzistencën e dyshimeve të arsyeshme për një falsifikim të mundshëm.

Institucioni nuk e paraqet këtë si një falsifikim të provuar, por si një dyshim që ka bërë të nevojshëm referimin e dokumentacionit te organet kompetente për vlerësim të mëtejshëm.

ASHK sqaron statusin e pronësisë në zonën e Palasës

Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka sqaruar se në zonat ku regjistrimi fillestar nuk ka përfunduar, vërtetimi i pronësisë ose vërtetimi hipotekor shërben si provë se subjekti ka depozituar pranë ASHK-së dokumentacionin ligjor që disponon për titullin e pronësisë.

Sipas institucionit, këto vërtetime mund të përdoren nga pronari dhe autoritetet publike deri në përfundimin e procesit të regjistrimit fillestar, në përputhje me kuadrin ligjor përkatës.

Regjistrimi fillestar është procesi përmes të cilit shqyrtohen dhe evidentohen titujt e pronësisë. Për titujt që plotësojnë kriteret ligjore, të dhënat përfundimtare pasqyrohen në kartelën e pasurisë dhe në hartën kadastrale.

Pse ASHK nuk publikon dokumentet origjinale?

Në përgjigjen zyrtare, ASHK ka dhënë edhe një sqarim mbi kërkesat për kopje të dokumenteve origjinale të pronësisë dhe materialeve arkivore që u përkasin subjekteve private.

Institucioni argumenton se duhet të respektojë legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe dispozitat e ligjit për kadastrën.

Për këtë arsye, dokumentacioni individual që lidhet me një pasuri nuk mund t’i vihet në dispozicion çdo personi. Sipas ASHK-së, akses në këto dokumente mund të kenë pronarët ose titullarët e të drejtave pronësore, si edhe persona që provojnë se kanë një interes të ligjshëm mbi pasurinë.

Për rrjedhojë, përgjigjja e ASHK-së vendos në fokus dokumentacionin e pronësisë së depozituar ndër vite, lejen e ndërtimit për projektin “Delta Falaise Resort & Village” dhe referimin në SPAK të dokumenteve për të cilat institucioni ka evidentuar dyshime për falsifikim të mundshëm.

Çështja e pronësisë në zonën mes Drimadhës dhe Palasës mbetet e lidhur me procesin e regjistrimit fillestar, i cili, sipas ASHK-së, pritet të përfundojë brenda vitit 2027.

“Në përgjigje të kërkesës suaj, paraqitur në mbështetje të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, Agjencia Shtetërore e Kadastrës sqaron sa më poshtë:

Referuar përcaktimit të bërë në kërkesën tuaj për zonën “mes Drimadhës dhe Palasës”, sqarojmë se kjo hapësirë i përket Zonës Kadastrale nr. 1739, për të cilën procesi i regjistrimit fillestar, në Marrëveshje midis ASHK dhe Bashkisë Himarë, pritet të përfundojë brenda vitit 2027.

Në lidhje me dokumentacionin që lëshohet nga ASHK në rast interesimi për zhvillim të pronës, sqarojmë se, në zonat kadastrale ku nuk ka përfunduar ende regjistrimi fillestar, vërtetimi i pronësisë/vërtetimi hipotekor është prova se subjekti ka depozituar pranë ASHK-së dokumentet ligjore që disponon për titullin e pronësisë,.

Në kuptim të nenit 19, të Ligjit 111/2018 “Për Kadastrën”, pikës 24 të VKM nr. 782/2020, të ndryshuar, këto vërtetime janë të vlefshme për përdorim nga pronari dhe autoritetet publike deri në përfundimin e procesit të regjistrimit fillestar.

Sqarojmë po ashtu se regjistrimi fillestar është procesi nëpërmjet të cilit shqyrtohen dhe evidentohen titujt e pronësisë dhe, për titujt që plotësojnë kushtet ligjore për regjistrim, të dhënat përkatëse pasqyrohen në kartelën e pasurisë dhe në hartën kadastrale të zonës.

Nga të dhënat e administruara rezulton se:

Subjekti “Delta” sh.a. në vitin 2019, e më tej 2020, 2021 ka depozituar dokmentacion ligjor për disa tituj pronësie të fituar nëpërmjet kontratave të shitblerjes, origjina e të cilëve lidhet me vendime të ish-komisioneve të kthimit të pronave, me vendime gjykate dhe me AMTP. Gjithashtu, është regjistruar në regjistrin e vecante të lejeve të ndërtimit në datë 24.07.2024 leja e fituar nga subjekti në fjalë, për resortin “Delta Falaise resort & village, zona 1”, dhe kjo është e vetmja leje e regjistruar deri më sot lidhur me çështjen e interesit tuaj.

Sa i përket subjektit tjetër të përfshirë në konfliktin e pretendimeve pronësore me subjektin “Delta” sh.a., nga verifikimi i të dhënave të administruara nga ASHK rezulton se për zonën në fjale, nuk është paraqitur kërkesë dhe nuk është lëshuar shërbim për pajisje me vërtetim pronësie në emër të këtij subjekti. Por rezulton ndërkohë, se po aty është paraqitur kërkesë dhe është lëshuar në korrik 2024 vërtetim pronësie në emër të një individi tjetër, për një titull pronësie, origjina e të cilit rrjedh nga një vendim i ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Për këtë titull pronësie, në kuadër të verifikimeve administrative të kryera dhe për çështje që kërkojnë vlerësim nga organet kompetente, ASHK ka përcjellë në vitin 2025 pranë Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, dokumentacionin përkatës duke qenë se ka pasur dyshime të arsyeshme për një falsifikim të mundshëm.

Për sa i përket kërkesës për vënien në dispozicion të kopjeve të dokumenteve origjinale të pronësisë apo dokumentacionit arkivor të subjekteve private, ASHK është e detyruar të respektojë parashikimet e ligjit nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, si dhe dispozitat e ligjit nr. 111/2018 “Për Kadastrën”, të cilat ndalojnë që dokumentacioni individual mbi një pasuri t’i vihet në dispozicion kujtdo tjetër përveç pronarëve/titullarëve të të drejtave pronësore ose personave që provojnë se kanë një interes të ligjshëm mbi pasurinë përkatëse”, thuhet në përgjigjen për Top Story të ASHK.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.