Të shtëna ndaj një polici në Britani, arrestohen katër të dyshuar
Policia britanike ka arrestuar katër persona në lidhje me të shtënat me armë zjarri ndaj një polici në Nottingham.
Sipas Policisë, oficeri mbeti i plagosur pasi u qëllua në zonën Angel Row dhe aktualisht ndodhet në spital.
Nga hetimet paraprake bëhet me dije se efektivi iu ishte afruar dy personave të dyshuar në një stacion autobusi, kur ndodhën të shtënat.
Tre persona, dy gra 27 dhe 25 vjeçe dhe një burrë 24-vjeçar, u arrestuan të dielën në mbrëmje, pasi policia ndaloi një automjet në zonën Radford të qytetit.
Gruaja 27-vjeçare dyshohet për shkaktim të qëllimshëm të lëndimeve të rënda trupore dhe për posedim të një arme zjarri me qëllim rrezikimin e jetës. Ndërsa 24-vjeçari dhe gruaja 25-vjeçare dyshohen për ndihmë ndaj një personi që ka kryer vepër penale.
Një tjetër person, një burrë 30-vjeçar, u arrestua në orët e para të së hënës, nën dyshimin se kishte ndihmuar një të dyshuar për t’iu shmangur drejtësisë.
Tani autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. /Telegrafi/



























