Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Komunën e Drenasit ka kërkuar sqarime zyrtare nga Ministria e Bujqësisë lidhur me ndryshimin e kritereve për subvencionimin e grurit, duke shprehur shqetësimin se vendimi i marrë pas përfundimit të afatit për dorëzimin e dëshmive mund t’i dëmtojë fermerët.

Në një reagim publik, kjo drejtori ka bërë të ditur se, sipas Udhëzimit Administrativ nr. 02/2026 dhe udhëzuesit për aplikim, pragu minimal për subvencionimin e grurit me 0.04 euro për kilogram ishte 3,225 kilogramë për hektar.


Sipas drejtorisë, fermerët janë bazuar në këto kritere për planifikimin e prodhimit dhe dorëzimin e grurit.

Thirrja për subvencionim ishte hapur më 22 qershor 2026, ndërsa afati për dorëzimin e dëshmive kishte përfunduar më 3 shtator 2026.

Megjithatë, sipas reagimit, me vendimin e datës 2 tetor 2026, pragu minimal është rritur nga 3,225 në 3,450 kilogramë për hektar, ndërsa rendimenti mesatar është ndryshuar nga 4,300 në 4,600 kilogramë për hektar.

Drejtoria e Bujqësisë në Drenas vlerëson se ndryshimi i kritereve pas përfundimit të afatit për aplikim ngre shqetësime për trajtimin e drejtë të fermerëve që janë mbështetur në kushtet e përcaktuara fillimisht.

Për këtë arsye, ajo i ka kërkuar Ministrisë së Bujqësisë sqarim zyrtar, transparencë dhe harmonizim të kritereve, në mënyrë që fermerët të mos pësojnë pasoja nga ndryshimet e bëra.

“Fermerët meritojnë trajtim më dinjitoz!”, thuhet në reagimin e Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Drenas. /Telegrafi/