Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar për protestat e ditëve të fundit në Shqipëri, duke shprehur shqetësim për përshkallëzimin e situatës dhe duke bërë thirrje për dëgjimin e kërkesave të protestuesve.
Haxhiu ka mohuar që Lëvizja Vetëvendosje të ketë bërë thirrje apo të ketë nxitur mbështetësit e saj të marrin pjesë në protestat në Tiranë. Reagimi i saj vjen pasi të paktën dy persona të identifikuar si mbështetës të VV-së u ndaluan dhe më pas u lanë në procedim të lirë gjatë protestave.
“Secili në Kosovë i ka përcjellë me shqetësim zhvillimet në Shqipëri. Ajo çfarë po ndodh atje na shqetëson të gjithëve, sepse Shqipëria për ne është shtëpi. Është shumë e rëndësishme që kërkesat e protestuesve të dëgjohen nga institucionet. Besoj se secili prej drejtuesve të institucioneve atje, Kuvendi, qeveria e presidenca, e ka për detyrim t’i trajtojë kërkesat e studentëve”, u shpreh Haxhiu.
Ajo theksoi se dhuna nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes së situatës dhe kërkoi ndalimin e saj nga të dyja palët, ndërsa paralajmëroi se një qasje arrogante nga institucionet mund të ndikojë në përshkallëzimin e protestave.
“Natyrisht që ne nuk e mbështesim dhunën. Dhuna duhet të ndalet nga të dyja palët. Mendoj që është e rëndësishme qasja serioze në raport me këto protesta, jo arroganca. Mendoj që arroganca vetëm nxit protestat, prandaj bëj thirrje që me maturi e seriozitet të tejkalohen ndasitë apo qëndrimet e ndryshme që mund të kenë”, deklaroi kryetarja e Kuvendit të Kosovës.
Sa i përket pranisë së mbështetësve të Vetëvendosjes në protestat në Tiranë, Haxhiu tha se partia nuk ka bërë thirrje për pjesëmarrje dhe se nuk mund të mbajë përgjegjësi për veprimet individuale të mbështetësve të saj.
“Sa i përket pjesëmarrjes së ndonjë mbështetësi, dua të theksoj që asnjëherë nuk ka pasur thirrje nga VV që të mbështesë protestat. Nuk i takon Vetëvendosjes kjo. Ne kemi një mbështetje shumë të madhe qytetare dhe nuk mund të mbahemi përgjegjës nëse mbështetësit tanë shkojnë protestojnë atje”, përfundoi Haxhiu.