Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar pas pranisë së efektivëve të Policisë së Shtetit në Universitetin e Vlorës, duke i kërkuar rektoratit të ndërhyjë për largimin e tyre nga ambientet universitare.
Përmes një reagimi publik, Zhupa akuzon kryeministrin Edi Rama se po përdor policinë për të ushtruar presion ndaj studentëve dhe për t’i penguar ata të vendosin lirisht nëse do të marrin pjesë në leksione apo do t’i bashkohen protestës.
Deputetja pretendon gjithashtu se është premtuar një shpërblim prej 2 500 eurosh për personat e përfshirë në përballjet me studentët. Ajo i cilëson këto veprime si metoda diktatoriale dhe thekson se universiteti nuk duhet të përdoret për presion ndaj studentëve.
“Universiteti nuk është pronë e Edi Ramës dhe as repart policie”, shprehet Zhupa, duke kërkuar që studentët të jenë të lirë të protestojnë pa presion dhe kërcënime.
Në reagimin e saj, deputetja shton se prania e policisë përballë revoltës studentore, sipas saj, tregon frikën e pushtetit nga protestat.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
“POLICIA JASHTË UNIVERSITETIT TË VLORËS!
Është e papranueshme që Policia e Shtetit të futet në Universitetin e Vlorës për të kërcënuar studentët dhe për t’i penguar të zgjedhin lirisht nëse do të qëndrojnë në leksione apo do t’i bashkohen protestës.
Edi Rama po e trajton Policinë e Shtetit si një ushtri mercenarësh në shërbim të pushtetit të tij, ku sot ju vuri edhe një çmim prej 2 500 eurosh për person atyre që përfshihen në përballjen me studentët.
Rektorati duhet t’i nxjerrë menjëherë jashtë! Universiteti nuk është pronë e Edi Ramës dhe as repart policie. Studentët janë të lirë të vendosin vetë, pa presion, pa kërcënime dhe pa frikë. Askush nuk ka të drejtë t’u diktojë se si duhet të ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë.
Këto janë metoda diktatoriale të një regjimi që, përballë revoltës së studentëve, ka rënë moralisht. Kur pushteti ka frikë nga studentët, tregon dobësinë e vet dhe fundin që po i afrohet!”