Udhëheqësit e Danimarkës, Italisë dhe Polonisë po i bëjnë presion Bashkimit Evropian që të ashpërsojë ndjeshëm qëndrimin ndaj migracionit të parregullt, sipas tre diplomatëve të BE-së dhe një drafti të përfundimeve të samitit, të siguruar nga POLITICO.
“Migracioni përbën shqetësim për shumë qytetarë evropianë dhe sfidon kohezionin e shoqërive tona […] si dhe ndikon negativisht në nivelet e kriminalitetit”, thuhet në draftin e shpërndarë përpara diskutimit të kësaj çështjeje gjatë samitit të liderëve në Bruksel. Nisma mbështetet nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe kryeministri polak Donald Tusk.
“Këshilli Evropian theksoi më tej rëndësinë e garantimit të kontrollit të plotë mbi hyrjet e parregullta, përfshirë shmangien e masave që mund të krijojnë stimuj për migracionin e paligjshëm”, thuhet në dokumentin e parë nga POLITICO.
27 liderët e vendeve anëtare të BE-së pritej të diskutonin migracionin gjatë një seance të posaçme të enjten, me kërkesë të Melonit dhe Frederiksenit, pas përplasjes së tensionuar me kryeministrin spanjoll Pedro Sánchez në qershor.
Tensionet janë shtuar më tej pasi enklava spanjolle e Ceutës u përball me një fluks të madh migrantësh gjatë verës, ndërkohë që partitë e ekstremit të djathtë kanë fituar terren në vende të ndryshme të BE-së.
Drafti i bën gjithashtu thirrje Komisionit Evropian të shqyrtojë mundësinë e krijimit të një mekanizmi konsultimi, me synimin për të nxitur koordinimin lidhur me masat kombëtare që mund të ndikojnë te shtetet e tjera anëtare, duke respektuar kompetencat kombëtare.
Edhe pse kjo pjesë e dokumentit nuk përmend drejtpërdrejt asnjë shtet, Sánchez është përplasur me Melonin për mënyrën se si ka menaxhuar krizën e migracionit në Ceuta, si dhe për masat e Spanjës për të legalizuar qëndrimin e rreth një milion migrantëve.
Megjithatë, nga drafti është hequr pjesa që trajtonte ndikimin e migracionit në strehimin social, për shkak të shqetësimeve se ajo mund të perceptohej si provokuese ndaj Spanjës.
Njëri prej diplomatëve, të cilët u identifikuan si anonimë për shkak të natyrës konfidenciale të diskutimeve, tha se versioni i përditësuar i dokumentit nuk pritej të merrte mbështetjen unanime të të gjithë liderëve. Sipas tij, propozimi synonte ta afronte formulimin me qëndrimet politike aktuale dhe të nxiste debat.