Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta në moshën 34-vjeçare aktori i “Breaking Bad”, RJ Mitte



Aktori amerikan RJ Mitte, i njohur për rolin e Walter White Jr. në serialin e famshëm “Breaking Bad”, është ndarë nga jeta të hënën, në moshën 34-vjeçare, përcjell DW.

Lajmi u konfirmua nga agjencia që menaxhonte karrierën e tij, e cila, në një deklaratë, shprehu pikëllimin për humbjen e aktorit, filantropit dhe aktivistit për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

“Me trishtim të thellë ndajmë lajmin tragjik për ndarjen nga jeta të aktorit të dashur, filantropit dhe aktivistit të përkushtuar për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, RJ Mitte”, thuhet në deklaratë.

Deri tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi rrethanat e vdekjes së tij.

Mitte u bë i njohur ndërkombëtarisht përmes rolit të Walter White Jr., djalit të personazhit kryesor të luajtur nga Bryan Cranston në “Breaking Bad”. Personazhi i tij përdorte paterica dhe kishte vështirësi në të folur, ndërsa roli fitoi më shumë rëndësi gjatë zhvillimit të serialit.

Vetë aktori kishte paralizë cerebrale, një përvojë personale që ndikoi në interpretimin e personazhit dhe i dha mundësinë të ndërgjegjësonte publikun për përfshirjen dhe përfaqësimin e personave me aftësi të kufizuara.

“RJ Mitte i dha autenticitet personazhit dhe krijoi një platformë për ndërgjegjësimin dhe përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara”, thuhej në deklaratën e agjencisë së tij.

Përveç rolit në “Breaking Bad”, serial që u transmetua nga viti 2008 deri në vitin 2013 dhe fitoi 16 çmime Emmy, Mitte u shfaq edhe në produksione të tjera, mes tyre “Switched at Birth” dhe “Guardians of Justice”.

Ai ishte gjithashtu ambasador i organizatës United Cerebral Palsy dhe i rrjetit të spitaleve për fëmijë Shriners Hospitals for Children.

Në një intervistë për Associated Press, pak pas përfundimit të “Breaking Bad”, aktori kishte folur për mënyrën se si përvoja e tij me aftësinë e kufizuar, fizioterapinë, vështirësitë familjare dhe kostot e larta mjekësore e ndihmoi në interpretimin e rolit.

“Zhvillon një mënyrë tjetër të të menduarit dhe një këndvështrim tjetër për mënyrën se si bota të sheh ty dhe si e sheh ti botën”, u shpreh ai në vitin 2024.

“Je në gjendje ta përdorësh këtë. Dhe mendoj se është një aset, në vend që të jetë diçka që të pengon”, shtoi aktori.