Përfaqësuesit amerikanë Joe Wilson, Keith Self dhe Robert Aderholt reaguan dje në rrjetet sociale për protestat në Shqipëri, duke i cilësuar ato si shprehje të mosbesimit të qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe zhgënjimit për atë që ata e përshkruan si shpërfillje të plotë të shtetit të së drejtës.
Deklaratat e tyre u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale nga të rinj shqiptarë, të cilët mirëpritën mbështetjen e ligjvënësve amerikanë për të drejtën e tyre për të protestuar kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Më vonë gjatë mbrëmjes, Ambasada e SHBA-së në Tiranë publikoi një deklaratë ku dënoi aktet e dhunës gjatë protestës, ndërsa në reagimin e saj nuk dënoi në mënyrë të drejtpërdrejtë rastet e pretenduara të përdorimit të dhunës nga efektivë të Policisë së Shtetit.
Brenda një ore nga publikimi, deklarata në faqen zyrtare të ambasadës në Facebook u shoqërua me më shumë se 1 mijë komente negative. Qytetarë shqiptarë shprehën zhgënjimin e tyre për atë që e konsideruan si një reagim të njëanshëm ndaj zhvillimeve gjatë protestave.
Në momentin e raportimit, postimi kishte marrë rreth 1,700 komente, ndërsa debati vijonte në rrjetet sociale.





