Policia e Tiranës ka hartuar një plan të posaçëm masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë derbit mes Partizanit dhe KF Tiranës, që do të luhet sot në orën 18:30 në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Për mbarëvajtjen e ndeshjes dhe parandalimin e incidenteve, do të ketë kufizime të qarkullimit rrugor në disa segmente pranë stadiumit, ndërsa policia ka përcaktuar edhe itineraret që do të ndjekin tifozët e të dyja skuadrave.
Nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit sportiv do të bllokohen sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Lekë Dukagjini”, rruga “Dervish Hima” dhe zonat dytësore përreth stadiumit.
Tifozët e Partizanit, të cilët do të vendosen në tribunën N, do të nisen nga zona e Inxhinierisë, në rrugën “21 Dhjetori”. Më pas, do të vijojnë drejt “Librit Universitar”, anash Presidencës, në rrugën “Gjergj Filipi” dhe te zona e “Coin”, për t’iu drejtuar sektorit përkatës në stadium.
Ndërsa tifozët e KF Tiranës, të cilët do të vendosen në tribunat V–S, do të nisen nga sheshi “Skënderbej”, do të kalojnë te ish-Hotel “Dajti” dhe Ura e Dajtit, për të vijuar drejt qendrës tregtare ETC. Itinerari do të vazhdojë në rrugën e Elbasanit, rrugën “Dervish Hima” dhe më pas në drejtim të rrugëve “Sheh Ahmet Pazari” dhe “Ambasador 3”.
Policia njofton se nuk do të lejojë grumbullime apo shmangie nga itineraret e përcaktuara. Para hyrjes në stadium do të kryhen kontrolle të rrepta për të parandaluar futjen e sendeve të kundërligjshme, si sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë dhe lëndë piroteknike.
Të gjithë tifozët duhet të kenë me vete një dokument identifikimi, pasi pa të nuk do të lejohen të hyjnë në stadium. Fëmijët nën 16 vjeç duhet të shoqërohen nga njëri prej prindërve ose nga kujdestari ligjor, edhe në rastet kur janë të pajisur me biletë.
Gjithashtu, hyrja në stadium do t’u ndalohet personave të identifikuar më parë nga policia si problematikë gjatë aktiviteteve sportive.