Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB), njofton fermerët se për Pagesat Direkte 2026 janë pranuar gjithsej 33,460 aplikime.

Sipas një njoftimi për media thuhet se shqyrtimi administrativ i aplikimeve dhe kontrollet në terren për sipërfaqet bujqësore kanë përfunduar.


"Gjatë kësaj jave do të fillojë lëshimi i vendimeve dhe realizimi i pagesave për sipërfaqet bujqësore, paralelisht me publikimin e listave të përfituesve. Më pas do të vazhdohet me pagesat për skemat e tjera të mbështetjes. Fermerët që kanë kultivuar grurë do të mbështeten për sipërfaqet e mbjella, plehun artificial dhe shpenzimet e naftës, sipas normave dhe shumave të mbështetjes të viteve të mëparshme", thuhet në njoftim.

Po ashtu siç thuhet në njoftim mbështetja për grurin për kilogram (gruri/kg) është skemë e veçantë, që vlen vetëm për fermerët që kanë dorëzuar grurin në mullinj dhe nuk ndikon në pagesat për sipërfaqet bujqësore.

"Për aplikimet e vitit 2026 zbatohet pragu minimal i rendimentit prej 3,225 kg/ha, sipas Udhëzimit Administrativ nr. 02/2026. Vendimi i Ministrit për përcaktimin e rendimentit mesatar kombëtar është detyrim ligjor që rrjedh nga Udhëzimi Administrativ dhe bazohet në të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). Ky vendim ndërlidhet me përgatitjen e Programit të Pagesave Direkte për vitin 2027 dhe nuk ndikon në aplikimet e pranuara për vitin 2026", thuhet në njoftim. /Telegrafi/