Incident pas ndeshjes Ballkani-Prishtina, një lojtar i kryeqytetasve u godit në tribuna nga shikuesit vendas

Prishtina ka marrë një fitore të madhe në udhëtim ndaj Ballkanit, duke triumfuar me rezultat minimal 0-1 në kuadër të xhiros së 10-të të Superligës së Kosovës.
“Bardhëkaltërit” arritën t’i arkëtonin pikët e plota edhe pse luajtën me një lojtar më pak nga minuta e 76-të, kur Diar Halili u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.
Golin e fitores për kryeqytetasit e shënoi Rin Ahmeti në minutën e 49-të, pas asistimit të Leotrim Kryeziut. Realizimi fillimisht u anulua, por pas rishikimit të situatës nga VAR-i, goli u akordua.

Pas kësaj fitoreje, Prishtina renditet në pozitën e dytë me 23 pikë, aq sa ka edhe liderja Malisheva, ndërsa Ballkani mbetet në vendin e gjashtë me 13 pikë.
Megjithatë, pas përfundimit të ndeshjes, situata mori një kthesë të shëmtuar. Telegrafi mëson se disa tifozë të irrituar të Ballkanit sulmuan një futbollist të ri të Prishtinës, i cili ndodhej në tribuna dhe nuk ishte në fushë gjatë takimit.
Lojtari i ri (emër i njohur për redaksinë) u godit me grusht, në një incident që e zbeh lojën korrekte që ishte brenda fushës.
Pakënaqësia me rezultatin nuk mund të jetë arsyetim për dhunë ndaj futbollistëve. Sulmi askujt, por posaçërisht ndaj një sportisti të ekipit kundërshtar është i papranueshëm dhe nuk ka vend në futboll.
Situata u qetësua pasi që disa persona zyrtar të klubit nga kryeqyteti u futën në mes. /Telegrafi/







































