Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me KRU “Drini i Bardhë”, ka përfunduar aksionin për pastrimin e hapësirave të ndotura përgjatë rrugës në lagjen Dardania 3 dhe në fshatrat Loxhë e Raushiq.

Sipas njoftimit të KRU “Drini i Bardhë”, gjatë aksionit janë larguar mbeturinat nga zonat ku ishin krijuar vendgrumbullime ilegale, me qëllim të përmirësimit të gjendjes mjedisore dhe krijimit të një ambienti më të pastër për qytetarët.


Kompania ka falënderuar ekipin e saj operativ për angazhimin gjatë realizimit të këtij aksioni, duke u bërë njëkohësisht apel qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi ndaj mjedisit.

Po ashtu, është theksuar se hedhja e mbeturinave në hapësira publike është e ndaluar dhe se ndaj personave që ndotin mjedisin do të ndërmerren masa ndëshkuese, përfshirë gjoba, në përputhje me legjislacionin në fuqi. /Telegrafi/