Ambasada e Zvicrës në Shqipëri ka shprehur shqetësim për dhunën dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private gjatë demonstratave të fundit në vend.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ambasada u ka bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, të ulin tensionet dhe t’i japin përparësi dialogut konstruktiv.
Në deklaratën e saj, përfaqësia diplomatike zvicerane thekson se e drejta për tubim paqësor është thelbësore për funksionimin e një shoqërie demokratike.
“Zvicra është e shqetësuar për shpërthimin e fundit të dhunës dhe shkatërrimin e pronës publike e private gjatë demonstratave në Shqipëri. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje, të ulin tensionet dhe t’i japin përparësi dialogut konstruktiv. E drejta për tubim paqësor është thelbësore për një shoqëri demokratike”, thuhet në reagim.
Ambasada u ka bërë gjithashtu thirrje autoriteteve shqiptare të garantojnë dhe mbrojnë plotësisht të drejtën për tubim paqësor dhe lirinë e medias.
Po ashtu, ajo ka theksuar rëndësinë e respektimit të standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut nga forcat e sigurisë gjatë menaxhimit të protestave.
Reagimi i Ambasadës së Zvicrës vjen në një kohë tensionesh të shtuara në vend, ndërsa apeli për dialog dhe respektimin e të drejtave themelore synon uljen e përshkallëzimit të situatës.

