FRANCË – Qeveria franceze ka njoftuar vendosjen e kufizimeve të pjesshme të qarkullimit në zona të caktuara të vendit, pas trazirave, plaçkitjeve dhe akteve të dhunës gjatë protestave kundër rritjes së kostos së jetesës.
Kryeministri Sébastien Lecornu bëri të ditur, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të qeverisë, se u kishte kërkuar prefektëve që masat të hynin në fuqi që nga mbrëmja e së hënës. Sipas tij, kufizimet do të zbatohen vetëm në zona të kufizuara, në varësi të situatës në terren.
Lecornu theksoi se synimi kryesor është mbrojtja e qytetarëve dhe e pronës publike e private, veçanërisht e bizneseve që janë përballur me plaçkitje.
Kryeministri nuk e përjashtoi mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, por vlerësoi se, në këtë fazë, masat e synuara në zonat problematike janë më të përshtatshme.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka refuzuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Laurent Nuñez, pas përshkallëzimit të situatës së sigurisë në vend.
Sipas Pallatit Élysée, Macron i ka kërkuar ministrit të identifikojë mangësitë në parashikimin e trazirave dhe në mbledhjen e informacionit, si dhe të ndërmarrë masa urgjente për përmirësimin e reagimit të forcave të sigurisë.
Nuñez ka pranuar se pati probleme në planifikimin e angazhimit të forcave të rendit dhe se autoritetet humbën kontrollin e situatës në disa zona.
Ndërkohë, presidenti Macron ka kërkuar rishikimin e mënyrës së veprimit të policisë, me qëllim parandalimin e përsëritjes së episodeve të dhunshme.
“Jelekët e Verdhë” paralajmërojnë protesta të reja
Në një zhvillim tjetër, lëvizja franceze “Jelekët e Verdhë” ka bërë thirrje për demonstrata të reja më 24 tetor, duke njoftuar organizimin e protestave në dhjetëra zona të vendit.
Lëvizja, e cila u bë e njohur në vitet 2018–2019 për protestat kundër kostos së lartë të jetesës dhe pabarazisë sociale, synon të rikthejë mobilizimin qytetar në një periudhë të tensionuar për Francën.
Thirrjet e reja vijnë pas demonstratave të fundjavës së kaluar, të cilat u shoqëruan me incidente, dëmtime të pronës dhe plaçkitje në disa qytete, përfshirë Parisin.
Ndërkohë, muzeu i famshëm i Luvrit në Paris nuk është hapur sipas orarit të zakonshëm, pasi studentë kanë bllokuar hyrjen në shenjë solidariteti me protestat në shkolla.
Sipas mediave franceze, protestuesit kërkojnë përmirësimin e kushteve në institucionet arsimore, më shumë mësues dhe pajisje më të mira shkollore. Ata kanë ngritur gjithashtu shqetësime lidhur me raste të pretenduara të dhunës policore.
Situata e krijuar ka shtuar presionin mbi autoritetet franceze, të cilat po përpiqen të rivendosin rendin dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të protestave.
Qeveria pritet të publikojë detaje të mëtejshme mbi kufizimet e qarkullimit dhe masat e sigurisë që do të zbatohen në zonat e prekura.

