Aktualitet

Protestuesit ironizojnë deklaratën e Ramës, hedhin dollarë fals drejt policëve përpara Kryeministrisë!

Protesta para Kryeministrisë është shoqëruar me një gjest simbolik, teksa protestuesit kanë hedhur kartëmonedha false dollarësh në drejtim të efektivëve të policisë të vendosur përballë tyre.

Veprimi është perceptuar si një mesazh simbolik kundër kryeministrit Edi Rama, në një moment kur vëmendja është përqendruar edhe te deklaratat e tij për shpërblimin e efektivëve që do të jenë në vijën e parë gjatë protestës.

Hedhja e dollarëve falsë drejt policisë duket si një formë proteste përmes simbolikës, duke e lidhur qëndrimin e efektivëve në terren me premtimin për bonusin e paralajmëruar nga kryeministri.

Edhe dita e shtatë e protestës në Tiranë u përshkallëzua me një sulm të dhunshëm ndaj Gjykatës së Apelit, ku të rinj të maskuar mësynë godinën, thyen xhamat me shqelma e sende të forta dhe një pjesë e tyre arritën të futeshin brenda, ndërsa në ambientet e gjykatës ndodheshin edhe punonjës. Policia ndërhyri menjëherë, duke iu vënë pas protestuesve dhe duke i shpërndarë nëpër rrugët e kryeqytetit. Pas përplasjeve me gurë dhe sulmit ndaj Apelit, policia ka arrestuar 5 protestues, mes tyre dhe një 16-vjeçar që i janë sekuestruar lëndë piroteknike.

Grupi i të rinjve të maskuar është larguar, ndërsa në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë, ka mbetur vetëm një grup i vogël personash.

Dita nisi me kontrolle policore në sheshin “Skënderbej”, ku efektivët kontrolluan çantat e të rinjve për të verifikuar nëse mbanin sende të paligjshme. Rreth orës 11:30, protestuesit nisën të grumbulloheshin para Ministrisë së Arsimit, ku, njësoj si një ditë më parë, pati këngë e valle. Nuk munguan as thirrjet “Hiqni uniformat”, drejtuar efektivëve të policisë.

Rreth orës 12:30, ndërsa disa të rinj shkulnin gurë nga bulevardi për t’i përdorur kundër policisë, të tjerë u ofronin sanduiçë efektivëve të vendosur para Ministrisë së Arsimit. Tensionet e para nisën rreth orës 13:00, kur protestuesit sulmuan policinë me gurë dhe kapsolla, ndërsa efektivët u përgjigjën me gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.

Përplasjet vijuan edhe pranë zonës së njohur si “Kafe Flora”, ku policia ndërhyri me ujë, pasi paralajmëroi protestuesit të largoheshin. Përmes megafonit, efektivët bënë thirrje të vazhdueshme që gratë dhe fëmijët të largoheshin nga rruga, duke paralajmëruar përdorimin e gazit lotsjellës dhe ujit. Policia nuk i lejoi protestuesit të rigrumbulloheshin, duke i ndjekur në çdo rrugë ku zhvendoseshin. Të ndjekur ‘këmba-këmbës’ nga efektivët, protestuesit iu drejtuan bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku vijuan tensionet. Rreth orës 14:00, dhuna u përshkallëzua me sulmin ndaj Gjykatës së Apelit në Tiranë.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.