LIVE/ Rikthehet kaosi në rrugë, tym, molotov, fishekzjarre dhe ujë, përplasje me protestuesve dhe policisë
Prej shtatë ditësh, protesta në Tiranë vijon mes tensioneve të larta dhe përplasjeve mes protestuesve dhe efektivëve të policisë.
Situata është përshkallëzuar në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit, por epiqendra e përplasjeve mbetet sheshi “Skënderbej”, i kthyer në një arenë përballjesh me hedhje fishekzjarrësh, kapsollash dhe molotovësh, si dhe ndërhyrje të policisë për shpërndarjen e turmës.
Gjatë mbrëmjes, protestuesit janë ndarë në grupe të vogla, duke lëvizur në zona të ndryshme të Tiranës. Në disa prej tyre janë regjistruar incidente, ndërsa policia ka ndërhyrë me ujë me presion për të frenuar përshkallëzimin e situatës.
19:44- Në zonën pranë Kryeministrisë vijon përplasja mes efektivëve të policisë dhe protestuesve, ku këta të fundit kanë sulmuar me gurë. Ndërkohë, efektivët u janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës. Si pasojë, disa prej protestuesve janë lënduar.
19:20– Një grup protestuesish janë mbledhur te Parku Rinia, ku kanë sulmuar me mjete piroteknike. Policia iu është kundërpërgjigjur me ujë me presion për të shpërndarë turmën.
Policia ka bërë një thirrje me megafon, ku është shprehur se nëse gjuajnë me mjete piroteknike apo gurë, do të kenë të njëjtin reagim mbrapsht.
18:55-Orët e qetësisë kanë përfunduar, duke i lënë vendin sërish tymit, kaosit, fishekzjarreve, përplasjeve dhe dhunës në rrugët e Tiranës.
Aktualisht ka përplasje mes policisë dhe protestuesve në qendër, në Rrugën e Dibrës, në Rrugën e Durrësit dhe pranë bulevardit.
18:40- Një pjesë e protestuesve ndodhen tek rruga e Dibrës, ku kanë nisur të bllokojnë qarkullimin me koshat e mbeturinave dhe më pas i kanë vënë zjarrin.
Protestuesit janë ndarë në grupe. Një pjesë e tyre janë rikther para Kryeministrisë.
18:30-Ka rinisur përplasja mes policisë dhe protestuesve, në ditën e shtatë të protestave.
Ndërsa protestuesit janë ndarë në dy grupe, një pjesë në qendër dhe pjesa tjetër në hyrje të Rrugës së Durrësit.
Protestuesit në krahun e Rrugës së Durrësit kanë nisur sulmin ndaj policisë me fishekzjarre, ndërkohë që tensione ka edhe te Ministria e Brendshme.




