Protesta në Tiranë është shoqëruar me tensione edhe pasditen e sotme. Pas grumbullimit para Kryeministrisë, protestuesit janë zhvendosur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në drejtim të sheshit “Skënderbej”.
Gjatë marshimit janë hedhur kapsolla, fishekzjarrë dhe molotovë në drejtim të forcave të policisë. Ndërkohë, disa kosha mbeturinash janë përfshirë nga flakët, duke përshkallëzuar situatën në rrugët e kryeqytetit.
Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe autobot me ujë në përpjekje për të shpërndarë turmën dhe për të vënë situatën nën kontroll.
Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit, protestuesit kanë vijuar lëvizjen drejt zonës së Ministrisë së Brendshme dhe sheshit “Skënderbej”, ndërsa policia i ka ndjekur përgjatë itinerarit.
Tubimi vijon mes përplasjeve dhe tensioneve, ndërsa në rrugët e kryeqytetit janë regjistruar incidente dhe dëmtime të shkaktuara nga zjarret.

