Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka publikuar pamje nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit që tregojnë mbërritjen e dy mjeteve ujëhedhëse me një avion turk që do të përdoren kundër studentëve dhe të rinjve që protestojnë kundër qeverisë.
Në reagimin e tij, Këlliçi akuzon kryeministrin Edi Rama se po shton masat represive ndaj protestuesve, në vend që të marrë masa për të parandaluar dhunën.
“Edi Rama shton masat represive dhe mjetet ushtarake për të sulmuar studentët dhe të rinjtë që janë ngritur kundër korrupsionit dhe padrejtësive.
Në këtë video të regjistruar në Aeroportin Ndërkombëtar Nënë Tereza, dallohen 2 makina uji që kanë mbërritur në shërbim të çmendurisë së Kryeministrit më të korruptuar në Europë, për të mbajtur me çdo kusht karrigen.
Është e qartë se Edi Rama ka kaluar në një plan të ri kriminal. Ai nuk po merr masa për të ndalur dhunën, po për të ndalur protestën”, shkruan Këlliçi.
Pamjet e publikuara nga Këlliçi vijnë në një kohë kur protestat e të rinjve në Tiranë janë shoqëruar me përplasje me policinë dhe ndërhyrje të forcave të rendit, dhunë të policisë ndaj tyre. a.b





