Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me tensionet gjatë protestës në Tiranë, duke bërë dallimin mes së drejtës për të protestuar dhe akteve të dhunës.
“Protesta paqësore është një e drejtë demokratike që duhet respektuar dhe mbrojtur. Dhuna dhe vandalizmi, jo”, shkruan Koçiu.
Ajo thekson se personat që shkatërrojnë bizneset, sulmojnë efektivët e Policisë së Shtetit dhe u vënë zjarrin objekteve në kryeqytet nuk mund të konsiderohen protestues, por dhunues.
“Kush shkatërron bizneset, sulmon Policinë e Shtetit dhe i vë zjarrin kryeqytetit, nuk është protestues, është dhunues”, shprehet zv.kryeministrja.
Në reagimin e saj, Koçiu nënvizon gjithashtu se Tirana duhet të ruajë karakterin e saj si kryeqytet europian, duke bërë thirrje për qytetari, siguri dhe respekt.
“Tirana është kryeqyteti europian i të gjithë shqiptarëve dhe nuk duhet të kthehet kurrë në simbol të dhunës, shkatërrimit dhe kaosit. Tirana meriton qytetari, siguri dhe respekt”, përfundon ajo.

