Ndërsa protestat kundër qeverisë janë përshkallëzuar dhe përplasjet mes demonstruesve e policisë kanë shoqëruar ditët e fundit në Tiranë, nga kampi socialist vijnë mesazhe që nuk lënë hapësirë për pritshmëri për një largim të afërt të Edi Ramës nga pushteti.
I pyetur nga Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” nëse kryeministri e mendon dorëheqjen, Arbjan Mazniku u përgjigj shkurt dhe prerë: “Jo, nuk e mendon të japë dorëheqjen”.
Një qëndrim i ngjashëm u artikulua edhe nga sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, në emisionin “Top Story”.
I pyetur për të ardhmen e Ramës në krye të qeverisë dhe në drejtimin e socialistëve, Klosi jo vetëm që nuk la të kuptohej ndonjë skenar largimi, por deklaroi se ai do t’i fitojë edhe zgjedhjet e ardhshme.
“Edi Rama ka drejtuar PS-në dhe ai do t’i fitojë zgjedhjet dhe në 2027-ën dhe në 2029-ën. Ne zgjedhim liderin tonë”, deklaroi Klosi.
Protesta në rrugë, pushteti nuk lëviz nga qëndrimi
Deklaratat e dy përfaqësuesve të mazhorancës vijnë në një moment të tensionuar politik, kur protestuesit kërkojnë largimin e kryeministrit dhe përplasjet me policinë kanë shënuar episode të përsëritura dhune.
Në rrugë, thirrjet për dorëheqjen e Ramës janë shoqëruar me përplasje, përdorim të gazit lotsjellës dhe ndërhyrje të forcave të rendit.
Situata ka nxitur gjithashtu reagime për mënyrën se si po menaxhohen protestat dhe për përdorimin e forcës ndaj demonstruesve.
Megjithatë, nga deklaratat publike të Maznikut dhe Klosit nuk shfaqet asnjë sinjal për një tërheqje të kryeministrit. Përkundrazi, mesazhi i tyre është se Rama synon të vijojë drejtimin e qeverisë dhe të Partisë Socialiste.
Deri në vitin 2029? Klosi flet për fitore të tjera
Klosi e vendosi diskutimin për të ardhmen politike të Ramës te vendimmarrja e brendshme e Partisë Socialiste, duke theksuar se zgjedhja e kryetarit është përgjegjësi e vetë partisë.
“PS-ja ka PS-në në qeverisje. Kë zgjedhim ne kryetar, është përgjegjësia jonë”, u shpreh ai.
Ndërsa protestuesit kërkojnë largimin e qeverisë, sekretari i Përgjithshëm i PS-së shprehu bindjen se Rama do të fitojë zgjedhjet e vitit 2027 dhe ato të vitit 2029.
Kontrasti mes kërkesave që artikulohen në rrugë dhe qëndrimit të drejtuesve socialistë e vendos krizën politike përballë një pikëpyetjeje thelbësore: a do të hapë presioni i protestave rrugë për një zgjidhje politike, apo mazhoranca do të vijojë të mbajë të pandryshuar qëndrimin e saj?














